Basketboll

RAHOVECI MPOSHT PEJËN, BARAZ NË KRYE TË TABELËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Rahoveci e ka fituar derbin kryesor të xhiros së 9-të, në Superligën e Kosovës te meshkujt, ndaj Pejës sonte në ”Mizahir Isma”.

Vreshtarët kanë arritur të mposhtin Pejën me rezultat solid dhe final, 86-77, në një sfidë që u bë interesante sidomos në pjesën e dytë, kur Peja u këndell.

Rahoveci e nisi shumë më mirë këtë sfidë, duke i fituar dy çerekët e parë bindshëm(25-16, 27-15) dhe kjo bëri që pjesa e parë të mbyllet, 52-31. Në pjesën e dytë, Peja paksa u këndell dhe arriti ti fitojë dy periodat e fundit të takimit, ngushtë(10-16, 24-30), por deficiti i konsiderueshëm nga pjesa e parë, nuk mjaftoi që pejanët të përmbysin rezultatin e fitorja në fund i takoi Rahovecit me meritë.

Isaiah Traylor dhe Marvin Jones, ishin enigmë e pazgjidhur për pejanët sonte. I pari realizoi 30 pikë, 7 kërcime, 6 asiste e 2 vjedhje topash, përderisa Jones pati 24 pikë, 3 kërcime, 2 vjedhje topash e 1 asist, ndërsa Alban Veseli e Amadi Ikpeze shënuan nga 9 pikë secili.

Tek Peja s’mjaftuan për fitore, Drilon Hajrizi me double-double fantastik(29pk, 17krc), Robert Cartwright me 18 pikë e as Albin Berisha me 11 sosh.

Pas xhiros së nëntë, Rahoveci barazohet me Pejën në krye të tabelës me nga 16 pikë, nga 7 fitore dhe nga 2 humbje, por që Peja mbetet lidere e renditjes tabelare, shkaku i koshdallimit më të mirë, sesa Rahoveci.

Në xhiron e 10-të, Rahoveci udhëton për tu përballur me Sigal Prishtinën e Peja e pret Ponte Prizrenin.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.