Basketboll

PRESIDENTI I BASHKIMIT I BINDUR: TITULLIN E RIKTHEJMË NË PRIZREN

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Bashkimit në konkurencën e femrave, është shpallur kampione vjeshtore e Superligës së femrave dhe klubi portokallinjë, sivjet synon që ta rikthejë titullin e kampionit në Prizren.

Në një prononcim për AsistiOnline.com, kryetari i skuadrës prizrenase, Rrahman Përteshi është shprehur i bindur, se Bashkimi do të rikthejë titullin e kampionit në Prizren, pas dy sezoneve mungesë. ”Pas disa ndryshimeve që patëm në ditët e fundit, klubi ynë po punon që të kompletohet për të qenë edhe më i fortë në pjesën e dytë të kampionatit dhe besoj që do ti arrijmë qëllimet tona e që janë fitimi i të gjithë trofeve ku jemi në garë, ashtu siç bëmë me Superkupën”, thotë kreu i klubit prizrenas.

Përteshi për Asistin ka zbuluar se shumë shpejtë, klubi do ti zyrtarizojë përforcimet e reja, duke filluar nga trajneri. “Jemi në bisedime me një trajner të huaj, që do të zyrtarizohet shumë shpejtë. Pas tij, do të vijnë edhe një amerikane, lojtare nga Shqipëria dhe dy vendore. Poashtu për ‘play-off’ do të na bashkohet edhe Saranda Daci dhe besoj se jemi të kompletuar për të vazhduar fuqishëm në pjesën e dytë”, tha Përteshi.

Para pak ditëve, skuadra e Bashkimit ndau rrugët me trajnerin Fabian Gjuka me marrëveshje të dyanshme, ndërsa nga ekipi janë liruar edhe lojtaret, Diedona Halitaj e Jaleesa Avery.

Të kujtojmë se që nga ardhja në krye të Bashkimit e z.Përteshit, skuadra e Bashkimit vazhdimisht ka luftuar për trofe dhe në shumicën e rasteve edhe ka dalur fituese.

/AsistiOnline.com/ 

Komentet janë të mbyllura.