MPOSHTEN LAKERS, SUPERNDESHJEN E FITON BROOKLYN NETS!
Prishtinë(AsistiOnline) – Kryendeshja e javës së tretë të shkurtit mes La Lakers dhe Brooklyn Nets përfundoi në të mirë të këtyre të fundit me rezultat 109:98.
Në ballafaqimin që u transmetua ekskluzivisht në Art Sport 1, kampionët në fuqi ishin të pafuqishëm duke u dominuar totalisht nga fillimi e deri në fund. Mungesat e Anthony Davies dhe Dennis Schroder kanë bërë që Brooklyn të triumfoj me lehtësi edhe pse për ta prezent nuk ishte Kevin Durant. Nets kanë arritur në fitoren e pestë rresht duke u bërë pretendenti kryesor për finalet e play offit.
Se kjo natë nuk ishte për Lakers, e tregojnë edhe tentimet për tri pikë. Nga 30 herë sa provuan, në cak e qëlluan vetëm 8 herë duke bërë të humbasin terren në pikëdallim me kundërshtarët. Në këtë aspekt, Nets ishin më të mirë duke shënuar 18 nga 39 tentime.
Ndeshja filloi me një epërsi modeste të krijuar nga Lakers por pas timeoutit të parë nga Steve Nash, rrjedha e lojës komplet ndryshoi. Brooklyn filluan t’i mbledhin forcat dhe ishin super dominues deri në fund. Për një moment në çerekun e tretë, epërsia e Brooklyn ndaj kampionëve në fuqi arriti plus 29 pikë.
Dyshja Harden-Irving ia dolën për mrekulli në këtë ndeshje me “mjekrrën” që kompletoi double double fantastik me 23 pikë e 11 asistime. Irvingu natën e mbylli me 16 pikë, 7 kërcime e 5 asistime. Por, Kevin Durantin e zëvëndësoi një tjetër lojtar. Ishte Joe Harris që u tregua edhe njëherë tjetër fenomenal nga vija e treshes duke shënuar 6 nga 7 tentime. Nga takimi doli me 21 pikë e 5 kërcime.
Nga ana tjetër, edhe përkundër mugesave të shumta, më I dalluari ishte mbreti James që bëri edhe historinë në këtë mbrëmje. 36 vjeçari u bë lojtari më i ri në NBA që arrin në kuotën e 35 mijë pikëve të shënuara. Këtë takim, LeBron e mbylli me 32 pikë e dy 8-she: 8 kërcime e 8 asistime.
Tani Brooklyn registron fitoren e 19 krahas 12 humbjeve ndërsa Lakers shijojnë humbjen e 8
ku kanë edhe 22 fitore.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.