Basketboll

SUPER-FITORE E TREPÇËS NDAJ YLLIT, ”MINATORËT” NGJITEN NË TABELË

Prishtinë(AsistiOnline) – Trepça e ka arritur një fitore shumë të madhe sot në Suharekë ndaj Yllit.

”Minatorët” kanë arritur të mposhtin Yllin me rezultat të thellë 72-96, duke u ngritur kështu në pozitën e gjashtë dhe duke bërë hap të madh për largim nga fundi i tabelës.

Ishte ky një dominim i madh i Trepçës sonte, duke arritur që ti fitojë të gjitha periodat e ndeshjes(21-28, 18-21, 14-26, 19-21) edhe pse në fakt ishte parashikuar një ndeshje më e fortë e para sfidës, favorit në letër ishte Ylli, por Trepça me një vetëmohim të pashoqë, madje pa Drilon Hajrizin, arriti ta mposht Yllin që sot ishte i kompletuar, por që si duket nuk e kishte ditën e vet.

Pesë basketbollistë arritën pikë dyshifrore në fitoren e Trepçës sot: Ivan Koljeviç me double-double fantastik(26pk, 15ast), transferi i ri Dino Butorac debutoi me 22 pikë, Stavros Toutziarakis realizoi 14 pikë, kapiteni Valdrin Haxhiu kishte 19 pikë dhe me 10 pikë ndihmoi Besnik Azemi.

Te Ylli s’mjaftuan assesi për fitore: L.G Gill me 22 pikë, si dhe Mitchell Wilbekin e Erjon Kastrati me nga 17 pikë secili.

Pas kësaj fitore, Trepça pozicionohet e 6-ta me 34 pikë, 10 fitore e 14 humbje. Ndërsa, Ylli mbetet në pozitën e dytë me 39 pikë, 15 fitore e 9 humbje.

Në xhiron e ardhshme, Trepça e pret Vëllaznimin e Ylli luan në shtëpi ndaj Sigal Prishtinës.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.