Basketboll

SUPERLIGA VAZHDON EDHE NË VIKEND, VËMENDJA KRYESORE NË PRIZREN

Në fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 25-të në Superligën e Kosovës në basketboll. Vëmendja kryesore do të jetë në Prizren në duelin, Ponte Prizren – Rahoveci, për liderin e tabelës.

Takimi i parë do të zhvillohet ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës, një duel shumë interesant. Këto dy skuadra u takuan edhe në finale të Kupës, ku triumfuan prishtinasit. Por, në elitën e basketbollit, therandasit ndodhen në pozitën e dytë, kurse bardhekaltrit në vendin e shtatë. Ylli ka grumbulluar 39 pikë, gjashtë më shumë se Prishtina.

Dueli tjetër i së shtunës është mes Bashkimit dhe Pejës, dy skuadra me traditë në basketbollin e Kosovës, por që nuk arritur rezultate të dëshirueshme në stinorin pranveror. Prizrenasit ndodhen në vendin e pestë me 35, me një pikë më pak pejanët.

Lideri Ponte Prizreni do të sfidohet nga Rahoveci. Prizrenasit kanë grumbulluar 41 pikë, kurse Vreshtarët kanë dy pikë më pak, andaj pritet një duel shumë interesant.

Përballja e fundit, por shumë e rëndësishme është në mes Trepçës dhe Vëllaznimit. Mitrovicasit hyn në këtë duel pas fitores ndaj Yllit, kurse kuqezinjtë në duelin e fundit pësuan nga Bashkimi. ‘Xehetarët’ kanë grumbulluar 34 pikë dhe kanë treguar formë të lartë, sidomos në stinorin pranveror, ndërsa skuadra nga Gjakova renditet në vendin e fundit me 31.

Superliga – Java 25

E shtunë

17:00 Golden Eagle Ylli – Sigal Prishtina

19:00 Bashkimi – Peja

E diel

17:00 Ponte Prizreni – Rahoveci

19:00 Trepça – Vëllaznimi

Komentet janë të mbyllura.