Basketboll

PONTE PRIZRENI FITON DERBIN LOKAL NDAJ BASHKIMIT

Prishtinë(AsistiOnline) – Ponte Prizreni e ka fituar derbin lokal ndaj Bashkimit në kuadër të xhiros së 27-të në Superligën e Kosovës.

Bardhezinjët kanë arritur të triumfojnë ndaj portokallinjëve me rezultat të përgjithshëm, 92-102.

Në fakt ndeshja ishte tejet e barabartë, sidomos në pjesën e parë e cila u mbyll me vetëm 1 pikë avantazh për Bashkimin. Ndërsa në pjesën e dytë, Ponte Prizreni rrëmbeu ritmin e lojës, duke fituar çerekun e tretë, 16-25 e më pas edhe të fundin ngushtë 23-25 dhe duke korrur fitore me meritë.

Komplet pesëshja e parë e Ponte Prizrenit arriti pikë dyshifrore sot: Divine Myles(31), Landon Talliaferro(20), Blend Matoshi(18), Urim Zenelaj(16) e Josh Martin(15).

Te Bashkimi s’mjaftuan për fitore: Obinna Oleka e Musab Mala me nga 18 pikë, Juljan Hamati me 17 pikë, Milos Latkovic me 16 e Chris Lutete me 14 sosh.

Pas kësaj fitore, Ponte Prizreni edhe zyrtarisht e ka siguruar pozitën e parë në tabelë me 46 pikë dhe play off-in e nisë nga vendi i parë. Ndërsa, Bashkimi rrezikon të mbetet në play out, sepse gjendet i 6-ti me 38 pikë, 11 fitore e 16 humbje.

Në xhiron e fundit, Ponte Prizreni e pret Trepçën e Bashkimi udhëton te Sigal Prishtina.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.