Basketboll

ËNDRRA PO REALIZOHET, LIGA UNIKE E BASKETBOLLIT FILLON SOT

Prishtinë(AsistiOnline) – Ëndrra shekullore shqiptarëve për të pasur një ligë të përbashkët të basketbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë po realizohet sot.

Liga Unike e basketbollit mes shteteve të lartëcekura, po fillon sot me një turne që pritet të jetë tejet interesant dhe dramatik me ekipet që do të luftojnë për këtë trofe të çmuar.

Sot dhe nesër do të zhvillohen ndeshje interesante në çerekfinale të Ligës Unike.

Sipas shortit në çerekfinale do të kemi dy duele mes skuadrave nga Kosova dhe Shqipëria, një duel mes skuadrave kosovare dhe një mes atyre shqiptare.

Takimi i parë do të jetë mes Vllaznisë nga Shkodra dhe Pejës. Këto dy skuadra janë ballafaquar më herët edhe në Ligën Ballkanike, andaj pritet një përballje interesante. Më pas është hapja solemne, ku do të ketë mysafirë specialë.

Përballja e dytë çerekfinale ndërmjet Rahovecit dhe Teutës, nuk do të zhvillohet, për faktin se durrsakët janë tërhequr nga gara dhe ‘vreshtarët’ do të kualifikohen direkt në gjysmëfinale.

Të mërkurën do të përballen Goga Basket dhe Tirana. Skuadra nga Durrësi kishte fituar titullin më 2019, kurse tiranasit kanë fituar 46 trofe në histori të klubit dhe sigurisht se do të mundohen të shtojnë edhe një trofe në sirtar.

Dueli i fundit çerekfinal është mes finalistëve të Kupës së Kosovës, Golden Eagle Yllit dhe Prishtinës. Skuadra prishtinasi triumfoi në Kupë, ndërsa është skuadra më e trofeshme në vend, madje duke fituar dy herë Ligën Ballkanike, por sigurisht do të bëjë çmos që të fitojë edhe këtë trofe të çmuar. Në anën tjetër, Ylli ka bërë investime, por nuk ka fituar trofe, andaj triumfi në Ligën Unike do të ishte speciale për klubin nga Theranda.

Garat do të zhvillohen në format të “Final 8” me sistem eliminimi dhe ndeshjet e para çerekfinale do të luhen në Rahovec me datë 6 dhe 7 Prill 2021, ndërsa ndeshjet gjysmëfinale, gara për vendin e tretë dhe finalja e madhe e Ligës UNIKE do të zhvillohen me datat 13-14 Prill në Durrës.

Orari

E martë

16:00 Vllaznia-Peja

Rahoveci direkt në gjysmëfinale

E mërkurë

16:00 Goga Basket-Tirana

19:00 Sigal Prishtina-Golden Eagle Ylli

Gjysmëfinalet dhe finalet

13 Prill

16:00 Gjysmëfinalja e parë

19:00 Gjysmëfinalja e dytë

14 Prill

16:00 Ndeshja për vendin e tretë

19:00 Finalja e madhe.

Komentet janë të mbyllura.