Basketboll

VASHAT E PËRFAQËSUESES SË KOSOVËS A TË GATSHME PËR EVROPIAN: FLET SELEKTORI FIDAN SHATRI

Prishtinë(AsistiOnline) – Përfaqësuesja e Kosovë A në konkurencën e femrave, sivjet për herë të parë do të jetë pjesëmarrëse në një turne ndërkombëtar prestigjioz.

Bëhet fjalë për Kampionatin Evropian për shtetet e vogla, ku marrin pjesë kryesisht përfaqësuese të shteteve më të reja në botë dhe këtu bën pjesë edhe Kosova.

Me rastin e publikimit të kundërshtarëve të Kosovës në këtë evropian, AsistiOnline.com ka kontaktuar me selektorin e Përfaqësueses sonë, Fidan Shatrin me të cilin ka zhvilluar një intervistë në lidhje me kundërshtarët, përgatitjet, rosterin, synimet e shtetit tonë dhe gjëra të tjera me rëndësi.
___________________________________________________________________________________________________

Pasi janë mësuar kundërshtaret e vashave kosovare në Evropian, a mendon timonieri i Kosovës se kanë gjasa reale për të kaluar grupin dhe për të pasur sukses në këtë kampanjë historike për Kosovën e femrave në basketboll?

”Këso lloj evenimentesh kur ka ndeshje çdo ditë janë shumë faktorë që të dërgojnë drejt rezultateve ose drejt mos rezultateve. Po besoj që do ta gjejmë formulën që së pari të tregojmë karakter dhe energji pozitive në këtë eveniment që për basketbollin tonë është shumë me rëndësi të tregohet që edhe Kosova mund të paraqitet në gara të niveleve europiane. Po besoj që të githë ne duhet ta kuptojmë rëndësinë e të veshurit së fanelës së Kosovës. Duke u bazuar në vitet e kaluara ku kemi qenë pjesë me gjenerata të reja si: U-16, U-18, U-20, bëhet fjalë për shtete të cilat viteve të fundit i kanë dhënë rëndësi mjaftë të madhe basketbollit të femrave e kam fjalën për Qipron dhe Luksemburgun. Mendoj që kemi potencial që të jemi në dy vendet e para në grup, nëse plani shkon ashtu siç është paraparë”, shprehet optimist Shatri.

Përgatitjet e ekipit kemi parë që kanë filluar formalisht, por intenzivisht do të nisin së shpejti apo si është çështja? pason sqarimi i trajnerit të Kosovës.

”Plani dhe programi për Përfaqësuese ka ndryshuar pasiqë fillimisht Kampionati Evropian I shteteve në zhvillim ka qenë i paraparë të zhvillohet në qershor, ku më pas është shtyer për një muaj, pra për muajn korrik, dhe duke pasur parasysh që kampionati vendor ka përfunduar në muajn prill, atëherë së bashku me drejtorin Granit Rugova ne kemi planifikuar që ti bëjmë disa grumbullime që lojtaret ti mbajmë aktive pasiqë edhe klubet nuk punojnë në këtë kohë dhe ti përshtatemi protokollit të FIBA-së për Përfaqësuese. Përgatitjet intenzive do të fillojnë më datë 20 qershor ku janë paraparë edhe disa ndeshje miqësore nëse na e lejon situata me Covid-19”.

Cili do jetë rosteri i Kosovës në këtë kampionat, komplet lojtare nga kampionati vendorë, apo risi edhe nga jashtë vendit?

”Baza e rosterit të Perfaqësueses së Kosoves do të jetë nga lojtaret që vitin e fundit kanë qenë pjesë e Superligës së Kosovës, si dhe janë disa lojtare që luajnë jashtë Kosovë në ligat e ndryshme. Shumë shpejtë do të jetë per opinionin dhe lista e të gjitha lojtareve që do të jenë pjesë e Përfaqësueses”, tregoi trajneri i Kosovës.

Si e sheh nga këndvështrimi i vet këtë evropian, selektori i Kosovës, kur dihet se është i pari ndërkombëtar për basketbollin tonë femëror, mendon ai se do të ndikojë pozitivisht në lojtaret tona dhe do të shtohet interesimi që të masivizohet edhe më shumë?

”Personalisht mendoj që hap shumë pozitiv është bërë në këtë drejtim për basketbollin e femrave që të ju jepet mundësia disa lojtareve që kanë dhënë shumë për basketbollin femëror, ku shumë gjenerata nuk e kanë pasur këtë mundësi, si dhe të ketë vazhdimësi e lidhshmëri për lojtaret që janë më të reja. Është meritë e kryetarit dhe sekretares që duhet përshëndetur për këtë vendim, pasiqë shumë lojtare që e kanë lënë basketbollin në moshe të re, mendoj që kjo është pikë kthyese që lojtaret ti shohim në parket deri në një moshë më të vjetër se deri më sot, ku do të ndikojë edhe në rritjen e pjesëmarrjes së vajzave në basketboll, pasiqë çdo kush e ka ëndërr përfaqësimin e shtetit në nivele të ndryshme ndërkombëtare”.

Për fund, cilat janë synimet e Kosovës në këtë Evropian?

”Synimet janë që të formojmë një bazë të Përfaqësueses së Femrave që do të jetë një nismë pozitive me këtë pjesëmarrje në Kampionatin Evropian të shteteve në zhvillim, ku angazhimi dhe puna nuk do të mungojë, kemi përkrahje të plotë nga drejtori Granit Rugova dhe po besoj që kjo pjesëmarrje për herë të parë e Përfaqësueses A do të jetë një fillim që gradualisht të ngritemi në një nivel tjetër të basketbollit të femrave”, përfundoi intervistën selektori i Kosovës te femrat.

Vashat dardane sfidën e parë në këtë Evropian, do ta kenë ndaj Qipros më 20 korrik. Më 21 korrik do të luajnë ndaj Gjibraltarit, kurse më 22 korrik ndaj Luksemburgut.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.