Basketboll

REALI I JEP LAMTUMIRËN KAPITENIT LEGJENDAR ME CEREMONI NDERIMI

Prishtinë(AsistiOnline) – Real Madridi e nderoi sot kapitenin prej vitesh të ekipit, Felipe Reyes me një ceremoni të veçantë për pensionimin e tij.

Felipe Reyes po lë pas një karrierë të gjatë në Real Madrid dhe klubi e nderoi lojtarin emblematik përmes një ceremonie të veçantë të organizuar në ”Ciudad Real Madrid”.

Ngjarja, e cila u drejtua nga presidenti i klubit, Florentino Pérez, disa anëtarë të bordit të drejtorëve, trajneri kryesor i ekipit, Pablo Laso, shokët e skuadrës: Rudy Fernandez, Usman Garuba dhe Carlos Alocén, si dhe Sergio Rodríguez, filloi me një përmbledhje emocionale të momenteve më të mira të kapitenit të Realit.

Reyes u ngjit në skenë dhe mbajti një fjalim emocionues, duke falënderuar klubin dhe tifozët.

Vjen momenti për mua, [momenti] që asnjë lojtar nuk dëshiron. Unë gjithmonë kam dhënë njëqind për qind, kam lënë shpirtin tim dhe kam dhënë gjithçka në fushë në secilën lojë. Një fazë e paharrueshme e jetës sime ka përfunduar, pasi kisha fatin të luaja për të dy skuadrat në qytetin tim: Estudiantes dhe Real Madrid. Do të doja të vazhdoja të luaja për shumë vite të tjera, të vazhdoja të shijoja shokët e mi të skuadrës dhe të vazhdoja të ti ndjeja emocionet me tifozët tanë, të cilët më kanë munguar shumë në kohët e fundit, por ja që erdhi momenti dhe duhet të përshëndetemi”.

Dua të falënderoj Real Madridin, klubin e jetës sime që më ka dhënë gjithçka. Kam ardhur si djalë i ri dhe po dal në pension kur jam 41 vjeç. Ju më keni mësuar gjithçka, jam përmirësuar si lojtar, si person kam mësuar vlera më të rëndësishme se të gjithë këta tituj. Të mos dorëzohesh kurrë dhe të luftosh deri në fund dhe të luash deri në fund. Të kuptosh se talenti dhe cilësia pa punë të vazhdueshme janë të padobishme. Vitet e fundit jam munduar t’ia transmetoj këto trashëgimi te më të rinjët. Mësoni dhe shijoni çdo moment dhe dëgjoni këshillat e veteranëve”, tha Reyes.

Në ceremoninë lamtumirëse të Reyes, foli edhe presidenti i Realit, Florentino Perez dhe tregoi për kontributin e Reyes:

Ju ishit një nga nënshkrimet e mia të para të mëdha në basketboll. Ju erdhët në Real Madrid në pak më shumë se 20 vjet dhe tani, pas 17 sezonesh duke ndarë përvoja unike dhe duke dhënë një shembull në secilën lojë, keni vendosur të mbyllni karrierën tuaj brilante dhe spektakolare si një lojtar profesionist“, tha Perez.

Reyes luajti për Realin nga viti 2004 e deri më 2021 dhe ka një karrierë tejet të bujshme me shumë trofe të fituar në aspektin ekipor, por dhe individual.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.