VAZHDON NGRITJA E KAMPIONIT, BËHET LIDER PËRKOHËSISHT
Prishtinë(AsistiOnline) – Golden Eagle Ylli e ka fituar duelin dramatik ndaj Bashkimit në kuadër të xhiros së nëntë në ArtMotion Superligën e Kosovës.
Therandasit triumfuan sonte ndaj Bashkimit në Prizren 71-76, edhe pse me shumë telashe, kjo për faktin se vendasit rezistuan deri në sekondat e fundit të takimit.
Ishin vendasit ata që e nisën më mirë këtë duel dhe fituan çerekun e parë 22-16, derisa Ylli u këndell shpejtë dhe fitoi çerekun e dytë 10-22 e shkoi në pushimin mes pjesëve me avantazh prej 6 pikëve 32-38.
Në pjesën e dytë u zhvillua lojë tepër e ngushtë, këtë më së miri e tregon fakti që çereku i tretë u mbyll me vetëm 1 pikë avantazh(15-14) e perioda vendimtare ajo e katërt u mbyll baraz(24-24), derisa fituesi u përcaktua falë çerekut të dytë, ku Ylli e kishte bërë dallimin.
Gëzim Morina ishte lojtari që shkëlqeu në fitoren e Yllit sonte me 22 pikë, 3 kërcime, 2 asiste, 2 vjedhje topash e 1 bllokadë, derisa u dalluan edhe Erjon Kastrati me 19 pikë dhe Brandon Randolph me 15 pikë, 10 kërcime e 5 asiste.
Derisa te Bashkimi nuk mjaftuan assesi për fitore, Immanuel King me 18 pikë e 12 kërcime, Valon Bunjaku me 13 pikë e Avi Tooner me 11 sosh.
Pas xhiros së nëntë, Ylli ngritet së paku përkohësisht në pozitën e parë me 16 pikë, 6 fitore e 4 humbje. Ndërsa, Bashkimi gjendet i 4-ti me 14 pikë, 5 fitore e 4 humbje.
Në xhiron e dhjetë, Ylli e luan derbin ndaj Prizrenit 16 e Bashkimi i shkon Sigal Prishtinës.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.