Prishtinë(AsistiOnline) – Me duelin e djeshëm mes Prizrenit 16 dhe Sigal Prishtinës, është mbyllur faza çerekfinale e ArtMotion Superligës për stinorin 2021/22.
Skuadra e Prishtinës e siguroi biletën e fundit në gjysmëfinale dhe përcaktoi katër skuadrat që do të luftojnë tash për titullin kampion në elitën e basketbollit kosovar.
Me Yllin dhe Trepçën që siguruan direkt gjysmëfinalet, Peja dhe Prishtina u desht që ti zhvillojnë duelet çerekfinale me Pejën që kaloi pa telashe ndaj Bashkimit 2-0, derisa Prishtina kaloi me vështirësi ndaj Prizrenit 16, 2-1.
Ndeshjet e para gjysmëfinale luhen gjatë vikendit që po vjen, përkatësisht të shtunën dhe të dielën, derisa ndeshjet kthyese do të zhvillohen të mërkureve dhe të enjteve.
Në gjysmëfinalen e parë do të takohen, Golden Eagle Ylli – Sigal Prishtina dhe seria nis të shtunën në Suharekë nga ora 20:30.
Derisa në sfidën e dytë gjysmëfinale përballen, Trepça – Peja, duke nisur nga e diela në ”Minatori” prej orës 17:00.
Vlen të ceket se gjysmëfinalet e ”play-off”-it zhvillohen sipas formulës 1 vs 4-5, 2 vs 3-6 e plasmanin në finale e siguron ekipi që i pari arrin 3 fitore. Gjysmëfinalet zhvillohen sipas formatit 2-2-1 dhe epërsinë e terrenit vendës e ka ekipi më lartë i plasuar në edicionin e rregullt.
Të kujtojmë se kampion aktual i elitë sonë është Golden Eagle Ylli nga Theranda.
/AsistiOnline.com/


