Basketboll

HISTORIKU I GOTTINGENIT, KUNDËRSHTARIT TË TREPÇËS NË FIBA EUROPE CUP

Prishtinë(AsistiOnline) – Sot në Mynih të Gjermanisë është hedhur shorti për kualifikimet e garës evropiane të basketbollit FIBA Europe Cup.

Skuadra kosovare e Trepçës në fazën e parë të këtyre kualifikimeve do të ndeshet me ekipin gjerman të Gottingenit, një skuadër që vije nga njëra prej top-5 ligave evropiane në vitet e fundit, Gjermania

Göttingen është një klub gjerman i formuar në vitin 1974 apo 48 vite më parë dhe ka bazën në qytetin e Göttingen, që numëron rreth 116 mijë banorë.

Ky ekip i zhvillon ndeshjet në Palestrën e quajtur, ”Sparkassen Arena” që ka kapacitet të ulëseve për shikuesit në 3, 447 ulëse, transmeton AsistiOnline.com

Klubi në fjalë nuk është se ka ndonjë histori të suksesshme me trofetë. Në vitin 2010, kjo skuadër e fitoi garën evropiane që tash nuk ekziston, EuroChallenge duke mposhtur në finale ekipin e Samara nga Rusia, me ç’rast ky është titulli i vetëm i fituar i tyre në histori.

Skuadra kishte luajtur në divizionin e dytë të Gjermanisë pothuajse çdo sezon që nga themelimi i saj deri në sezonin 2006–07, kur u inkuadrua në Bundesliga.

Në sezonin e parë në Bundesliga, Göttingen arriti të shmangë rënien. Madje vitet në vijim klubi do të kishte disa paraqitje të shkëlqyera, me paraqitje të njëpasnjëshme në playoff.

Në sezonin 2009–10, Göttingen bëri debutimin në garat evropiane duke luajtur në EuroChallenge. Ekipi menjëherë la shenjë aty, pasi fitoi garën, ku në Final Four-in, i cili u organizua pikërisht nga Göttingeni, mundi skuadrën ruse të Samaras në finale 83–75.

Në dy sezonet në vijim, klubi luajti përsëri në Evropë (2010/11 në Eurocup dhe 2011/12 në Eurochallenge). Megjithatë, në sezonin 2011–12 Göttingeni u rrëzua nga Bundesliga gjermane, për të luajtur në Bundesliga 2, për dy vite me radhë. Më pas në vitin 2014, skuadra u kthye në Bundesligë, ku fitoi titullin ProA, duke mposhtur Crailsheim Merlins në finale.

Edicionin e fundit në elitën gjermane, Gottingeni e mbylli në pozitën e 10-të, jashtë ”play off”-it me 16 fitore e 18 humbje.

/AsistiOnline.com/

Lexo edhe:

CAKTOHET KUNDËRSHTARI I TREPÇËS NË FIBA EUROPE CUP

TREPÇA DO TË NDESHET ME KËTË KUNDËRSHTAR NËSE E KALON GOTTINGENIN

 

Komentet janë të mbyllura.