Basketboll

MINCHEV, EMRI QË PO PËRFLITET PËR SELEKTOR TE KOSOVA

Prishtinë(AsistiOnline) – Edhe pse zyrtarisht ende nuk është shkarkuar, Christos Marmarinos i ka ditët e numëruara si selektor i Kosovës.

Greku pritet të shkarkohet nga detyra që ju ishte besuar para dy viteve, shkak janë rezultatet super të dobëta të Kosovës që nga ardhja e tij në krye të ekipit përfaqësues.

E duket se për zëvendësin e Marmarinos po mendohet që nga tash, ku një prej emrave që lakohet më së shumti është ai i Lyubomir Minchevit, trajnerit aktual të Trepçës.

Sipas informatave që posedon AsistiOnline.com, Minchev po shihet si opsion serioz për ta marrë drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës A dhe ka gjasa reale që një gjë e tillë të ndodhë.

Megjithë këtë, mbetet të shihet gjatë javëve dhe muajve në vijim se cilat do jenë vendimet e FBK-së në këtë drejtim, ngase Përfaqësuesja jonë pritet të jetë pasive për një kohë të gjatë, si shkak i eliminimit të hershëm nga të gjitha garat ku bënte pjesë.

Të kujtojmë se trajneri bullgar, Minchev përpos karrierës me klube e ka drejtuar edhe Kombëtaren Bullgare përgjatë viteve 2016/19, madje ai ka qenë selektor i Bullgarisë në kualifikimet e zhvilluara gjatë vitit 2016 për Eurobasket 2017 e në të njëjtin grup kishte qenë edhe Kosova që atë botë, drejtohej nga Arben Krasniqi. Kosova në këtë grup kishte pësuar dy herë nga Bullgaria e drejtuar nga Lyubomir Minchevi, në Prishtinë me rezultat 62-67, derisa në Botevgrad thellë 105-84.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.