Basketboll

Liga Unike e detyrueshme për klubet nga Shqipëria, ato nuk pajtohen me vendimin

Federata Shqiptare e Basketbollit, disa javë më parë ndërmori ndryshime të rëndësishme, përfshirë edhe Ligën Unike që të jetë e detyrueshme për ekipet.

Por këto ndryshime të vendosura në Këshillin Drejtues të FSHB-së nuk janë pritur mirë nga të gjitha klubet. Pas Teutës, tashmë ka reaguar edhe Besëlidhja.

Ekipi nënkampion i Shqipërisë ka kontestime të mëdha për sa u përket vendimeve të KD-së, si dhe për injorimin që u është bërë shoqatave në marrjen e këtyre vendimeve, për të cilat lezhjanët thonë se janë bërë për të plotësuar dëshirat e disa drejtuesve që e shikojnë federatën si pronë private.

Lidhur me këtë çështje, për portalin shqiptar ”Panorama Sport” ka folur sekretari që përfaqëson klubin lezhjan, Erion Lleshi.

”Nuk jemi dakord me pjesëmarrjen me detyrim në Ligën Unike, e cila është një ligë private dhe nuk është pjesë e aktiviteteve të FSHB-së. Pjesëmarrja me detyrim në Ligën Unike dhe heqja e -6 pikëve në kampionat për mospjesëmarrje, është në shkelje të statutit të FSHB-së si dhe në shkelje të të gjitha rregulloreve të FIBA-s. Për mendimin tonë duhet një takim mes palës organizatore të Ligës Unike dhe ekipeve që pretendojnë të marrin pjesë në këtë kompeticion, për të diskutuar për shpenzimet ekstra që na duhen ne si shoqata për të përballuar udhëtimet dhe akomodimet për të marrë pjesë në një aktivitet me ndeshje që zhvillohen në Shqipëri dhe Kosovë. Nëse një shoqatë nuk ka buxhetin e mjaftueshëm për të përballuar pjesëmarrje edhe kampionatin e Superligës edhe në Ligën Unike, t’i hapë krah një ekipi tjetër, duke pasur parasysh që janë 12 ekipe, të cilat mund marrin pjesë. Ne si shoqatë gjithashtu kemi kërkuar të sqarohemi për shumë pika për Ligën Unike, si për shembull:

Kur do të fillojë dhe kur do të mbarojë Liga Unike? Kush i merr përsipër këto shpenzime ekstra? Çfarë përfitimesh kemi ne si ekipe pjesëmarrëse? Pse nuk ndahet një buxhet për të gjitha ekipet pjesëmarrëse për të drejtat televizive dhe sponsorizimet e ndryshme që janë partnere të Ligës Unike, etj…? Gjithashtu duke parë dhe disnivelin mes ekipeve kosovare dhe shqiptare, kjo nuk ndihmon garën në kushte të barabarta, pasi në Kosovë ekipet kanë më shumë buxhet bazuar në ligjin e sponsorizimeve si dhe kanë njësuar rezultatet e ndeshjeve mes tyre në Ligë Unike me kampionatin. Ne në Shqipëri në mungesë të Ligjit të Sponsorizimeve, si në Kosovë dhe kudo në Europë, nuk mund të shtojmë me një vendim KD-je shpenzime ekstra për ekipet, thjesht për të plotësuar dëshirat e disa drejtuesve që mendojnë se i kanë FSHB-në dhe shoqatat anëtare pronë private”, ka thënë Lleshi. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.