Basketboll

Super-talentja 14 vjeçare, Malvina Haziri që po mahnit me lojën e saj në Superligën e Femrave

Prishtinë(AsistiOnline) – Padyshim që e ardhmja e basketbollit kosovar femëror, është Malvina Haziri.

Kjo super talente me vetëm 14 vite mbi supet e saj, po shkëlqen në garat më elitare të basketbollit tonë femëror, shkruan AsistiOnline.com

E kishte nisur me ndeshjet e Superkupës me një mesatare fenomenale prej 12 pikë nga 2 ndeshjet (gjysmëfinale dhe finale), derisa kjo lojtare që shquhet për gjakftohtësinë e jashtëzakonshme brenda fushës së lojës, efektivitetin e ka rritur në ndeshjen e parë të kampionatit.

photo by: @Shpend Ahmeti

Malvina në derbin e xhiros së parë të Superligës së Femrave ndaj Pejës 03, ishte thjeshtë e pandalshme duke qenë prej lojtareve kryesore në triumfin e vashave bardhekaltër.

Ajo ndaj ekipit pejan realizoi plotë 21 pikë dhe prej tyre 6 treshe nga 9 tentime, derisa shtoi edhe 3 kërcime, 2 asiste e 1 bllokadë.

Me të vërtetë, kjo lojtare po fascinon me lojërat e saj edhe pse mosha e saj është shumë e vogël për paraqitje në nivele të tilla, mirëpo kjo dëshmon disa gjëra në thelb: Malvina është një super-talente e rrallë, punëtore e madhe dhe se përkushtimi i madh të sjell frytet e kërkuara.

Gjatë kësaj vere që lamë pas, Malvina u paraqit edhe me Kosovën U18 në Kampionatin Evropian – Divizioni C me mesatare prej 11.3 pikëve, 4 kërcimeve e 1.8 asiste.

Në stinorin e kaluar, Haziri e ka pasur një aventurë disa mujore në basketbollin turk, por që më pas është rikthyer në Kosovë. Hapat e parë në basketboll, Malvina i ka marrë në klubin e VushtrriaBasket tek dy trajnerët, Arianit Morina dhe Arsim Berisha.

Urojmë dhe besojmë që Malvina në të ardhmen do të jetë krenaria e basketbollit kosovar, sepse me këto paraqitje, sukseset janë në rrugën e duhur.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.