Basketboll

Ndryshimet s’kanë të ndalur, këto ekipe pritet të transferojnë lojtarë të rinj

Prishtinë(AsistiOnline) – Përkundër që afati kalimtar i transfereve është mbyllur qe një kohë të gjatë, klubet e basketbollit kosovar vazhdojnë të mos bëhen rehat me lojtarët e huaj.

Që të gjitha tetë ekipet elitare, tashmë kanë bërë ose pritet të bëjnë ndryshime si pasojë e mos përmbushjes së pritshmërive nga transferimet e verës, shkruan AsistiOnline.com

Duke filluar nga kampionia aktuale Peja, e cila duket se nuk është e kënaqur me një eventualisht dy lojtarë, pritet të freskojë rosterin e trajnerit Rami Hadar. Madje, njëri nga ta veçse ka arritur në Kosovë (emër i njohur për redaksinë).

Nënkampionia Trepça duket se do të bëjë ndryshime të pashmangshme sidomos pas humbjes së thellë në FIBA Europe Cup nga Leideni. Siç ka mësuar AsistiOnline.com, ”minatorët” prite të zëvendësojnë minimum dy lojtarë, madje me njërin nga ta janë shumë afër marrëveshjes.

Pa ndryshime s’ka shpëtuar as Sigal Prishtina, për të cilët dje AsistiOnline.com njoftoi ekskluzivisht se ka nënshkruajtur me qendrën e re.

Ekskluzive: Prishtina përforcohet me Zane Knowles?

Ndryshime pritet të ketë edhe te Bashkimi, përkundër transferit të fundit (Isiah Umipig), portokallinjët do të përforcohen edhe me një lojtar të huaj.

Nga Golden Eagle Ylli momentalisht nuk ka ndonjë lëvizje, por në bazë të formës aktuale të ekipit, duket se ndyshimet do të jenë të pashmangshme me disa nga pozitat që çalojnë në kampin e dy herë kampionit të Kosovës.

E mund të duket si çudi, por ndryshime të mëtutjeshme do të ketë edhe tek kuqezinjët e Gjakovës. Vëllaznimi vazhdon të rifreskojë skuadrën me lojtarë të huaj, deri në dy prej tyre mund të jenë risi në ”Shani Nushi”, shto këtu edhe trajnerin që pritet të jetë poashtu një ardhje e jashtëzakonshme, pasi Audrius Prakuraitis u largua pas vetëm 2 ndeshjeve.

Te PC Prizreni ka pasur ndryshime të vazhdueshme nga fillimi i stinorit dhe ekipi ende nuk duket i kompletuar, andaj pritet të ketë ardhje të reja.

Dhe krejt në fund, debutuesi i Superligës Istogu që ka afruar disa ardhje të huaja, por ka pasur edhe largime, mund të përcillet ndoshta edhe me një transferim tjetër.

Marrë në përgjithësi, vendime aspak stabile nga skuadrat elitare kosovare të cilat duket qartë se nuk kanë ide dhe strategji afatgjate për konsolidimin e rradhëve të veta. Shpresojmë në reflektim pasi që të jemi realistë, edicioni i kaluar ishte shumë më rivalizues dhe lojtarët e huaj ishin më kualitativë. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.