Basketboll

Peja fiton ndeshjen e parë si mysafire në BIBL

Kampionia e Kosovës në basketboll, Peja, e ka fituar edhe ndeshjen e dytë në Ligën Ballkanike. Pas fitores ndaj Lovqenit, javën e kaluar në “Karagaçi”, Peja të martën mbrëma e mposhti skuadrën tjetër nga Mali i Zi, Plevla.

Ndeshja e luajtur në Plevla, në praninë e pak shikuesve, përfundoi me fitoren e Pejës me rezultatin 85:76.

Skuadra pejane fitoren e siguroi në çerekun e fundit. Çereku i parë përfundoi 21:17 për skuadrën vendase. Pas çerekut të dytë, Plevla ishte në epërsi me rezultat 52:45. Vendasit ishin në epërsi edhe pas çerekut të tretë, 66:62, ndërsa në të katërtin Peja shfaqi shumë më tepër për të shënuar fitore në fund.

Justin Davis ka udhëhequr Pejën drejt një tjetër fitoreje. Ai ndeshjen e përfundoi me 24 pikë e dhjetë kërcime. Sadio Doucuore i kishte 20 pikë e dhjetë kërcime. Deandre Davis kontribuoi me 11 pikë, tetë kërcime e dy asistime.

Udhëtimin në Mal të Zi, Peja e shfrytëzon për ta luajtur edhe një ndeshje tjetër në kuadër të Ligës Ballkanike. Të mërkurën prej orës 18:00 takohet me Lovqenin në Cetinje.

Pjesë e Ligës Ballkanike është edhe Sigal Prishtina, që deri më tani ka dy fitore e një humbje.

Peja është bërë vonë pjesë e këtij edicioni të Ligës Ballkanike, që mezi ka mbledhur pesë skuadra. Ndeshjen e së martës e gjykoi Ognjen Jokiq, që deri në gusht ishte i dënuar nga FIBA. Ai po i drejton shumicën e ndeshjeve në Ligën Ballkanike, ndërsa i ka drejtuar të gjitha ndeshjet e skuadrave kosovare. Malazezi Jokiq ishte përmendur si i dyshuar për kurdisje në rastin që i kushtoi me përjashtim të përjetshëm nga basketBolli të arbitrit kosovar, Daut Mehmeti.

Pos dy skuadrave nga Kosova dhe dy skuadrave nga Mali i Zi, në Ligën Ballkanike po garon AEL-i qipriot. Prishtina e Peja ende nuk kanë luajtur ndaj kësaj skuadre.

Komentet janë të mbyllura.