Basketboll

FIBA 3×3 publikon orarin zyrtar të garave të saj në Lojërat Olimpike – Paris 2024

FIBA 3×3 ka shpallur orarin zyrtar të ndeshjeve për Lojërat Olimpike të shumëpritura të basketbollit 3×3.

3×3 do të kthehet për herë të dytë në Lojërat Olimpike Verore të Parisit 2024, të cilat nisin nga 30 korriku deri më 5 gusht 2024. 

Lojtarët më të mirë në botë 3×3 do të garojnë në tetë ekipe për meshkuj dhe tetë për femra, gjatë 7 ditëve të garave që pritet të jenë shumë interesante. Këto gara do mbahen në ”Place de la Concorde” pjesë e qytetit në zemër të Parisit e ku lojtarët 3×3 do të shfaqin talentet e tyre në sfondin e disa prej monumenteve më ikonike të Parisit, duke përfshirë Grand Palais, Champs-Élysées dhe Luvrin.

Kufizimet e COVID-19 kishin penguar tifozët të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, tash spektatorët në Paris do të jenë në gjendje të përjetojnë plotësisht ethet e basketbollit 3×3 në Lojëra Olimpike dhe të luajnë një rol qendror në krijimin e një atmosfere të paharrueshme të kësaj feste sportive. 

 Të tetë skuadrat luajnë me njëra-tjetrën në një grup të vetëm gjatë tre ditëve të para. Në ditën e katërt, do të prezantohet një play-in për skuadrat që përfundojnë në vendet 3-6. 

Dy skuadrat e para kalojnë direkt në gjysmëfinale, ndërsa skuadrat e renditura në vendin e 7-të dhe të 8-të do të eliminohen. Gjashtë skuadrat e mbetura garojnë në play-in, me gjysmëfinalet dhe lojërat për medalje që zhvillohen të gjitha në ditën e fundit të garës, më 5 gusht.   

Basketbolli 3×3 më 9 qershor të vitit2017, u pranua si sport olimpik, duke debutuar në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Ngjarja e parë zyrtare 3×3 u mbajt në 2010 në Lojërat Olimpike për të Rinj në Singapor. U deshën vetëm shtatë vjet që sporti të bënte hapin nga rrugët drejt Lojërave Olimpike. 

Komentet janë të mbyllura.