Basketboll

Caledonia – Trepça në FIBA Europe Cup nuk luhet, arsyeja është e paprecedentë

Prishtinë(AsistiOnline) – Ndeshja e fundit në grupin H të kompeticionit evropian FIBA Europe Cup, nuk do të luhet.

Bëhet fjalë për sfidën në mes të ekipit skocez, Caledonia Gladiators dhe ekipit tonë kosovar Trepça, që nuk do të luhet për shkak se skuadra mitrovicase ka mbetur pa viza për udhëtimin e tyre në Skoci, si shkak i vonimit dhe mos lëshimit të tyre nga ambasada e Britanisë së Madhe.

Kësisoj, udhëtimi i klubit kosovar drejt Skocisë është anuluar dhe ajo ndeshje nuk do të zhvillohet e sipas të gjitha gjasave do të regjistrohet me rezultat zyrtar 20:0 në favorin e Caledonias.

Sipas burimeve të afërta me klubin, drejtuesit e Trepçës i kanë dorëzuar të gjitha dëshmitë faktike se procedurat për marrjen e vizave ishin kryer me kohë dhe se janë shpenzuar mjete të konsiderueshme për aplikimin për viza, mirëpo mos përgjigjja nga ambasada britanike ka bërë që ky udhëtim i Trepçës të pamundësohet.

Pas anulimit të kësaj ndeshje, treshja reprezentuese e Trepçës: Tmushiq, Kastrati, Kapiti do jenë në dispozicion të selektorit të ri të Kosovës Choulet, i cili ka planifikuar fillimin e grumbullimit të Kosovës për të martën, andaj të gjithë të ftuarit do jenë komplet në stërvitjen e parë të kampit kosovar.

Lidhur me anulimin e kësaj ndeshje, klubi skocez ka lëshuar edhe një njoftim zyrtar rreth kësaj çështje:

Njoftimi i plotë dhe pa ndërhyrje i klubit skocez:

Me keqardhje informojmë tifozët tanë dhe komunitetin e basketbollit se ndeshja jonë e ardhshme në shtëpi në Kupën e Evropës FIBA, ​​kundër Trepçës, e planifikuar fillimisht të mërkurën, 13 nëntor në ora 19:30, është shtyrë. Ky vendim vjen si pasojë e përballjes së kundërshtarëve tanë me probleme administrative të paparashikuara, duke penguar udhëtimin e tyre në Skoci.

Ne e kuptojmë entuziazmin dhe pritjen që rrethon këtë lojë dhe sinqerisht kërkojmë falje për çdo shqetësim të shkaktuar ndaj mbështetësve tanë besnikë. Jini të sigurt, ne po punojmë në mënyrë aktive me FIBA-n dhe të gjitha palët përkatëse për të sqaruar këtë situatë dhe do të ju njoftojmë sapo të dimë më shumë detaje.

Tifozët që kanë blerë tashmë biletat për ndeshjen do të mund t’i përdorin ato për datën e riplanifikuar. Përndryshe, opsionet e rimbursimit do të jenë të disponueshme për ata që i preferojnë.

Komentet janë të mbyllura.