Basketboll

Pozicioni i Kosovës në grup aktualisht dhe si kualifikohet?

Prishtinë(AsistiOnline) – Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ndodhet në një pozitë interesante në Grupin A të parakualifikimeve për Kampionatin Botëror 2027, ku vendet e para të grupeve kalojnë direkt tutje, ndërsa dy vendet e dyta me bilancin më të mirë përfundojnë gjithashtu në raundin tjetër.

Pas dy ndeshjeve të zhvilluara, Kosova ka një bilanc prej 1 fitoreje dhe 1 humbjeje, të njëjtë me Azerbajxhanin, ndërsa Zvicra kryeson grupin me dy fitore. Ndeshja e parafundit e Kosovës në kuadër të këtyre parakualifikimeve, më 20 shkurt 2025, ku Azerbajxhani do të vizitojë Kosovën, mund të jetë vendimtare për kualifikimin. Nëse situata për vendin e dytë varet nga kjo ndeshje, Kosova duhet të triumfojë me mbi 10 pikë epërsi për ta siguruar avantazhin ndaj Azerbajxhanit në përballjet direkte.

Megjithatë, plani më i mirë për Kosovën është të fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura, duke mos e lënë kualifikimin të varet nga rezultatet e tjera.

Në këto parakualifikime marrin pjesë gjithsej 10 ekipe të ndara në tri grupe. Në Grupin C ndodhet Shqipëria, e cila deri më tani ka zhvilluar një ndeshje dhe është mposhtur. Kombëtarja kuqezi do të përballet poashtu sonte me Austrinë në Durrës, në përpjekje për të shënuar fitoren e parë.

Atmosfera është dukur tejet optimiste në kampin kosovar, andaj sonte presim rezultat pozitiv.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.