Basketboll

Rami Hadar me Beer Shevën e mposht gjigantin e basketbollit izraelit

Basketbolli izraelit pësoi një nga befasitë më të mëdha të sezonit sonte, teksa Hapoel BeerSheva arriti të triumfojë ndaj gjigantit Hapoel Tel Aviv, brenda palestrës së këtyre të fundit, me rezultat 82-83. Kjo ishte një fitore që jo vetëm tronditi kampionatin izraelit, por edhe dëshmoi punën e shkëlqyer që po bën trajneri Rami Hadar me ekipin e BeerShevas.

Hapoel Tel Aviv hyn në këtë sezon si favoriti kryesor për të fituar gjithçka. Me një buxhet që kalon 25 milionë euro, madje edhe më i madh sesa ai i Maccabi Tel Aviv që luan në Euroligë, skuadra nga kryeqyteti ka ndërtuar një ekip të mbushur me super-yje. Patrick Beverley, ish-ylli i NBA-s, dhe Jonathan Motley  e Buno Caboclo nga Euroliga janë vetëm tre nga emrat që përfaqësojnë këtë projekt ambicioz që synon triumfin në EuroCup dhe hyrjen në Euroligë. Për më tepër, ata drejtohen nga një trajner që ka fituar dy tituj të Euroligës në dekadën e fundit.

Por, pavarësisht këtyre faktorëve, Hapoel BeerSheva e drejtuar nga Rami Hadar sonte arriti të sfidonte të gjitha parashikimet. Ish-trajneri i Pejës, i njohur për qasjen e tij taktike dhe për organizimin e ekipeve me resurse më të vogla, por me mentalitet fituesi, tregoi edhe njëherë aftësitë e tij në menaxhimin e lojës dhe shfrytëzimin e dobësive të kundërshtarit. Fitorja e BeerShevas në një ambient aq të vështirë si Tel Avivi nuk ishte vetëm një rezultat, por një mesazh i qartë se ky ekip nën drejtimin e Hadarit mund të konkurrojë me më të mirët.

Ky sukses i BeerShevas do të mbetet një prej momenteve më të rëndësishme të sezonit dhe një shembull i qartë se në basketboll, pavarësisht buxheteve të mëdha dhe emrave të njohur, organizimi dhe strategjia mund të bëjnë diferencën. Puna e Rami Hadarit, i cili ka një historik të suksesshëm edhe në Kosovë, po e konfirmon atë si një nga trajnerët më të aftë që ka punuar në basketbollin izraelit dhe më gjerë.

 

Komentet janë të mbyllura.