Reprezentuesi i Kosovës, Scott Bamforth, ka përfunduar sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme duke u shpallur kampion dhe MVP i finales në kampionatin meksikan me ekipin Fuerza Regia de Monterrey.
Bamforth ishte lojtari kryesor i skuadrës në serinë finale ndaj Diablos, të cilën Fuerza Regia e fitoi me rezultat të përgjithshëm 4-1.
Ai gjatë sezonit regjistroi mesatarisht 17 pikë, 4 kërcime dhe 3.2 asistime për ndeshje, duke udhëhequr ekipin drejt titullit të kampionit. Në ndeshjen vendimtare të finales, Bamforth shkëlqeu me një paraqitje mbresëlënëse, duke realizuar 25 pikë, 3 kërcime, 2 asistime dhe 1 vjedhje topi në vetëm 30 minuta lojë, duke u treguar jashtëzakonisht efikas në momentet kyçe.
Vetëm një ditë më parë, AsistiOnline.com raportoi ekskluzivisht për një marrëveshje të mundshme mes Bamforth dhe Golden Eagle Yllit, dy herë kampion i Kosovës, që po synon të sjellë një lojtar me përvojë dhe ndikim të madh në Superligë.
Bamforth, i cili posedon pasaportë kosovare dhe ka përfaqësuar përfaqësuesen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, njihet si një nga basketbollistët më cilësorë që ka mbajtur fanellën e Kosovës, me karrierë të pasur në ligat elitare të Evropës. /AsistiOnline.com/
Ekskluzive: Golden Eagle Yll ‘dridh’ basketbollin kosovar, arrin marrëveshje me Scott Bamforth?


