Komuna e Mitrovicës së Jugut ka emëruar sot Drejtorin e ri për Kulturë, Rini dhe Sport, një emër i njohur për sportin mitrovicas dhe më gjerë.
Bëhet fjalë për ish-basketbollistin e dalluar të Trepçës, Gazmend Asllani i cili nga sot do të udhëheqë këtë drejtori me rëndësi për jetën sportive të qytetit mitrovicas.
Emërimi i tij vjen si vazhdimësi e angazhimit të gjatë në sport, veçanërisht në basketboll, ku për vite me radhë ka qenë pjesë e Trepçës dhe një figurë e respektuar në ambientet sportive.
Në detyrën e re, Asllani ka theksuar se fokusi kryesor do të jetë fuqizimi i të rinjve, mbështetja e sportistëve lokalë, krijimi i kushteve më të mira për aktivitete sportive dhe rinore, si dhe promovimi i kulturës dhe trashëgimisë së Mitrovicës.
Ai ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për bashkëpunim të hapur me sportistë dhe qytetarë, duke theksuar se vetëm përmes punës së përbashkët mund të arrihen rezultate konkrete për qytetin.
Mitrovica, sipas tij, ka potencial të madh në sport, kulturë dhe rini, ndërsa drejtoria që ai do të udhëheqë synon ta shfrytëzojë këtë potencial në projekte të prekshme dhe afatgjata. /AsistiOnline.com/



