Jeronimo Sarin javë më parë u largua nga posti i trajnerit të Golden Eagle Yllit.
Por vetëm sot, ai ka reaguar përmes një shkrimi publik, duke bërë të ditur se kontrata e tij me klubin nga Theranda ka përfunduar zyrtarisht.
Në deklaratën e tij, Sarin ka theksuar se filozofia e tij e punës ka qenë gjithmonë përmirësimi dhe mirëqenia e lojtarëve, duke shtuar se ky mision, sipas tij, është përmbushur edhe gjatë periudhës së tij te Golden Eagle Ylli.
“Isha i privilegjuar të punoj me lojtarë modestë dhe me karakter të fortë. Jam i bindur se synimet për të fituar trofe mund të arriheshin”, ka theksuar Sarin, duke bërë të ditur se vendimi për ndarje ishte i menaxhmentit, të cilin ai e respekton.
Ish-trajneri i Yllit ka falënderuar gjithashtu stafin e klubit për bashkëpunimin, atmosferën dhe mbështetjen gjatë kohës së kaluar së bashku, duke theksuar respektin e tij të përhershëm për organizatën.
Në fund të reagimit, Sarin ka lënë të kuptohet se është i gatshëm për angazhime të reja, duke u shprehur: “Tani jam gati për sfida të reja”, ka shkruajtur Sarin. /AsistiOnline.com/



