Nesër luhet ndeshja e shtatë e një super serie finale në elitën e basketbollit kosovar femëror.
Peja 03 dhe Bashkimi, takohen në palestrën ”Karagaç”, për të kërkuar trofeun kryesor të basketbollit tonë, e ku seria aktuale është e barabartë 3-3.
Për Pejën 03 një triumf eventual, do të thoshte titull kampioni për herë të parë në histori. Bashkimi ishte duke avancuar në seri 1-3, por ekipi pejan bëri rikthim senzacional duke shënuar dy fitore radhazi.
Një organizim fantastik nga klubi pejan në vetëm pak vite themelim, ekip i strukturuar për trofe dhe paraqitje në kompeticionin e dytë kryesor evropian – EuroCup Women.
Ekipi pejan sivjet u paraqit në garat evropiane dhe arriti edhe fitore historike për basketbollin kosovar femëror atje. Investimet e tilla në basketbollin tonë, janë të mirëpritura dhe infuzion për ngritjen e nivelit.
Kjo finale e madhe luhet nesër në Pejë me fillim nga ora 19:30.
Klubi pejan u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve pejanë, që ta përkrahin në këtë rrugëtim historik dhe një trofe që do të ishte me rëndësi për sportin e këtij qyteti. /AsistiOnline.com/



