Atmosferë e jashtëzakonshme pritet të mbretërojë të dielën mbrëma në palestrën Minatori, aty ku KB Trepça do ta nis finalen e madhe ndaj Bashkimit me një falënderim special për tifozët e saj besnikë.
Klubi mitrovicas ka bërë të ditur se për secilin tifoz që do të jetë i pranishëm në tribunat e “Minatorit”, është përgatitur një dhuratë simbolike – bluza me mbishkrimin “WINATORI”, e cila do të vendoset në secilën ulëse të palestrës.
Nga kampi “Xehetar” është bërë thirrje që secili shikues të marrë vetëm dhuratën e dedikuar për ulësen e tij, në mënyrë që të gjithë tifozët të bëhen pjesë e atmosferës së veçantë që synohet të krijohet në finalen e shumëpritur.
“WINATORI” pritet t’i japë edhe më shumë ngjyra tribunave të palestrës së zjarrtë mitrovicase, derisa tifozët e Trepçës njihen tashmë për mbështetjen e madhe që i japin skuadrës në ndeshjet vendimtare.
Trepça synon që para tifozëve të saj ta nisë finalen me fitore dhe në fund të sezonit të ngrejë edhe një tjetër trofe në basketbollin kosovar. /AsistiOnline.com/



