Basketboll

SI PERFORMUAN SHQIPTARËT NË EVROPË, GJATË VIKENDIT

Prishtinë(AsistiOnline) – AsistiOnline.com ju sjellë ekskluzivisht një përmbledhje të paraqitjeve të lojtarëve kosovarë apo me prejardhje kosovare nëpër ligat e huaja evropiane, gjatë këtij vikendi që shkoi.

Performancën më të mirë nga lojtarët kosovarë që luajnë nëpër ligat e huaja, këtë vikend e pati, basketbollisti me prejardhje kosovare, 19 vjeçari Jan Palokaj që ka lindur në Kroaci, por edhe ka luajtur për grupmoshat e reja të Kroacisë dhe sivjet po luan me ekipin e parë të Zadarit në elitën e Basketbollit të Kroacisë. Palokaj këtë vikend me Zadarin ka luajtur 21 minuta, duke pasur paraqitje fenomenale me 15 pikë e 2 kërcime.

Performancë të shkëlqyer këtë xhiro me ekipin e Hopsi Polzela në elitën sllovene, pati aloja e Përfaqësueses kosovare, Gëzim Morina që ishte lojtari më i mirë në humbjen e ekipit të tij, me 15 pikë të realizuara.

Një tjetër basketbollist me prejardhje kosovare që po luan në basketbollin spanjoll, është Kenan Spahiu që luan në Superligën Spanjolle me ekipin e Betisit, dhe në këtë xhiro ai, për 21 minuta qëndrim në parket, ka realizuar 9 pikë, 6 asistime e 2 kërcime.

Basketbollisti me nën-shtetësi finlandeze dhe me prejardhje nga Kosova, Edon Maxhuni, këtë xhiro me ekipin spanjoll, Gran Canaria B, arriti që për 24 minuta në parket, të realizoj 8 pikë, 4 kërcime e 2 asistime.

Paraqitje të zbehtë në vikend, me ekipin e tij nga elita hungareze, Egis Kormend, pati basketbollisti i Përfaqësueses kosovare, Erjon Kastrati i cili për 11 minuta lojë, në fitoren e ekipit të tij, kontribuoi me 2 pikë e 1 kërcim.

Nga Bundesliga 2 e Gjermanisë, na vije një lojtar tjetër me prejardhje nga Kosova. Bëhet fjalë për fundorin, Faton Jetullahi që po luan me ekipin e Dusseldorf, këtë xhiro ai luajti për 29 minuta dhe arriti 6 pikë, 3 kërcime e 1 asistim. Ndërsa mesatarja e tij e pikëve, këtë stinor është 14.5 pikë për ndeshje.

Në Bundesliga 2 të Gjermanisë, luan edhe një basketbollist tjetër me prejardhje nga Kosova. Bëhet fjalë për Mirsad Hazirin, që luan me ekipin “Kirchheim” e që këtë xhiro, Haziri fatkeqësisht nuk pati minutazhë nga trajneri.

Në anën tjetër, qendra-gjigante e Përfaqësueses së Kosovës, Lis Shoshi mbetet ende i lënduar dhe nuk e ka zhvilluar ende asnjë ndeshje me ekipin e ri nga Superliga Gjermane, S.Olivier Wurzburg.

Kjo listë e botuar ekskluzivisht nga AsistiOnline.com vlen vetëm për lojtarët seniorë që po luajnë me ekipet e tyre, të dhënat e lojtarëve janë nga java e fundit e zhvilluar dje e pardje.

Nëse keni informacione për lojtarë të tjerë që paraqiten me ekipe të ndryshme në Evropë dhe Botë, lirisht na kontaktoni në mesazhe dhe ne do të paraqesim informacione të përjavshme edhe për ta.

Komentet janë të mbyllura.