Basketboll

PLANI ME 108 FAQE PËR RIFILLIMIN E NBA

NBA PËRCAKTON PLANIN SPECIFIK PËR RIFILLIM DHE UA DORËZON SKUADRAVE DHE LOJTARËVE

(ASISTIONLINE) – NBA në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e Lojtarëve të NBA (NBPA) kanë përpiluar Planin e detajuar me kushtet për vazhdimin e kampionatit, gjegjësisht, rifillimin e garave pas ndërprerjes për shkak të pandemisë COVID19, me 12 Mars.

Plani saktëson çdo detaj të përgatitjeve, prej javës në javë deri në fillim të garave dhe aty janë përshkruar obligimet dhe përgjegjësit të cilat duhet të përmbushen nga lojtarët dhe ekipet e NBA të cilat do të shkojnë në Disney, në Korrik.

Plani është aq i detajuar sa që saktëson në mënyrë strikte edhe përdorimin e salloneve për lojëra zbavitëse në Disney World, përdorimin e fushave të golfit, zonave të peshkimit, sallonet për lojën me birila (bowling), turnet nëpër qendrat e zbavitjes në Disney si dhe shërbimet e salloneve të shumta në këtë mega-qendër të zbavitjes dhe rekreacionit, ndër më të mëdhenj në botë .

     

 

VAZHDIMI I NBA PO TINGËLLON SI PUSHIM MIRËPO ME RREGULLA USHTARAKE!

Të martën (16 Qershor), NBA publikoi planet shumë specifike për lojtarët dhe ekipet për rifillimin, duke përpiluar një memorandum dhe doracak të cilit duhet t’i përmbahen të gjithë.

Siguria dhe shëndeti  janë pika kryesore e këtij plani me qëllim të mbrojtjes nga pandemia me korona virus prandaj  lojtarëve u është thënë se ata do të testohen rregullisht por jo me metodën e pakëndshme të marrjes së mostrave përmes shtupave nga hunda thellë. Gjithashtu, lojtarët dhe gjithë tjerët do të duhet t’i përmbahen në mënyrë strikte politikave të rrepta të ruajtjes së distancës fizike dhe bartjes së maskave.

NBA dhe NBPA kanë punuar së bashku në rregullat e rrepta të sigurisë së shëndetit dhe si do të funksionojë rikthimi,  me javë, të gjitha këto në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë mjekësorë përfshirë edhe  Dr. Anthony Fauci, mbase mjekun më të njohur në botë kur bëhet fjalë për betejën kundër COVID-19 dhe i cili ka deklaruar se e mbështet plotësisht këtë Plan për rifillimin e NBA.

“Në fillim nuk kam pasur besim në rifillimin e kampionatit për shkak të frikës nga virusi” ka deklaruar drejtoresha ekzekutive e sindikatës së lojtarëve, avokatja Michele Roberts.

Ajo shtoi se, tash pas gjithë kësaj kohe kur ai dhe bashkëqytetarët e tij në SHBA kanë bashkëjetuar, frymuar dhe vuajtur nga virusi, ndërsa është punuar me muaj për të kuptuar rrezikun dhe si funksionon virusi, duke krahasuar protokolle të ndryshme dhe duke dëgjuar ekspertët e lëmit për mënyrën se si të përpilohet plani, ai nuk mund të paramendoj ndonjë mënyrë tjetër veç se “të mbyllin hermetikisht lojtarët për t’i mbajtur të sigurt ”

Në orët e vona të martën, NBA ua dërgoi ​​protokollet mjekësore ekipeve, në një doracak që përmban 108 faqe. Ndër pikat kryesore janë obligimet që:

– lojtarët duhet të bëjnë dush në dhomat e tyre individuale të hotelit në vend se atë të bëjnë në Palestrat ku do të zhvillohen ndeshjet dhe stërvitjet

– Të gjithë lojtarët do të jenë pjesë programit të gjurmimit të kontaktit  dhe

– Trajnerëve u rekomandohet që gjatë tërë kohës të mbajnë maska / mbulesa të fytyrës, para dhe pas lojës

“Shfaqja eventuale e një numri të vogël ose të pritur të rasteve të COVID-19 gjatë kësaj kohe, nuk do të shkaktoj pezullimin ose anulimin e rifillimit të sezonit 2019-20” thuhet në kumtesën e NBA.

Komentet janë të mbyllura.