Basketboll

ASNJË LËVIZJE TEK SKUADRAT KOSOVARE

Prishtinë(AsistiOnline) – Përkundër që stinori 2019/20 në elitën kosovare të basketbollit, është anuluar tash e një kohë të gjatë, skuadrat tona po e vazhdojnë pushimin e stërzgjatur ende.

As edhe një lëvizje e vetme qoftë në strukturat organizative apo merkato, nuk është përmendur ende, përkundër se shumica e klubeve në rajon dhe më gjerë, veçse kanë nisur “gjahun” për kompletimin e skuadrave për stinorin e ardhshëm, duke parë që kanë pushuar detyrimisht mjaftueshëm nga pandemia COVID-19.

Federata e Basketbollit të Kosovës, ka njoftuar ditë më parë se që nga tetori pritet të startojë edhe liga e përbashkët me ekipet nga Shqipëria dhe disa klube nga Kosova jo-zyrtarisht mësohet se kanë shprehur haptazi interesim për të luajtur aty, por deri më tani ende nuk kanë lëvizur për tu organizuar për stinorin e ri, së paku zyrtarisht jo.

Shpresojmë dhe besojmë që klubet kosovare, do ti përvishen punës dhe të fillojnë përgatitjet për stinorin e ri, sepse koha kalon shumë shpejtë dhe ekipet duhet të jenë të gatshme, duke pasur parasysh faktin se sivjet kanë ndaluar aktivitetin e tyre që nga muaji Mars, shkaku i pandemisë dhe kanë pushuar mjaftueshëm, ndoshta edhe tepër. /AsistiOnline.com

Komentet janë të mbyllura.