Basketboll

HABIB ADEMI NJË NDËR EMRAT MË TË SHQUAR TË BASKETBOLLIT TË KOSOVËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Habib Ademi për gjeneratat e reja mund të jetë emër jo i njohur në basketbolli e Kosovës, por jo edhe për ata të cilët janë më në moshë, sepse ky njeri për shumicën prej tyre është emër shumë i freskët në memorien e tyre.

AsistiOnline.com ju sjellë një profil të ish-basketbollistit të spikatur dhe me nam nga Kosova i cili është i lindur më 1970 në Prishtinë, por që ka edhe pasaportë sllovene dhe prje vitesh banon jashtë Kosovës.

Në fakt karriera e tij prej basketbollisti vijon të jetë shumë e pasur. Habib Ademi është një ish-basketbollist profesionist që ka luajtur në Slloveni, Francë, Itali, Kosovë, SHBA. Dhe vlen të ceket se në Kosovë ka luajtur për ekipet: KB Mabetex dhe KB Prishtina dhe ka tre tituj kampioni me ekipet kosovare.

Pjesën më të madhe dhe më të ndritshme të karrierës së tij, Ademi e kaloi tek skuadra franceze – Vichy Clermont ku para ardhjes së tij në Kosovë më 2003, ishte shpallur kampionë i Ligës së Parë atje dhe ishte inkuadruar në Superligën e Francës, duke luajtur një vit në elitën franceze përpara transferimit në Kosovë.  Ndërsa nga ekspertë dhe njohës të basketbollit në vendin tonë me shumë të drejtë cilësohet si një ndër basketbollistët më të mirë të gjithë kohërave e sidomos në pozitat e trapezit 4/5 në Kosovë.

 

  • Por cili është aktiviteti i Habib Ademit, pas pensionimit si basketbollist aktiv?

 

Habib Ademi bashkë me familjen, gruan dhe dy fëmijët e tij u transferuan në Edmonton të Kanadas në vitin 2016. Që kur u zhvendos me familjen e tij në Kanada, Ademi është tepër i angazhuar si trajner basketbolli në Universitetin e Albertës dhe Shoqatën e Basketbollit të Albertas në Kanada, si dhe përpos basketbollit, punon në industrinë e siguracioneve prej mbi 13 vjetësh.

Në një intervistë për portalin e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze me seli në Kanadanë e largët, veterani i basketbollit të Kosovës rrëfehet për jetën e tij, pas pensionimit nga basketbolli aktiv:

A kishte vështirësi Ademi në përshtatjen e tij me jetesën kanadeze dhe cilat ishin ato?

Personalisht nuk e kam patur të vështirë përshtatjen me jetesën kanadeze sepse kam qenë i mirë-informuar rreth zakoneve në Amerikën Veriore, pas kalimit të katër viteve studime në Shtetet e Bashkuara, pengesë kryesore kisha gjetjen e një pune në industrinë e siguracioneve pasi erdhëm në Kanada, sepse më duhej të merrja licencën e nevojshme përkatëse dhe të njihesha me rregullat e industrisë së siguracioneve në Kanada, gjë për të cilën u desh pak kohë”.

Ku punon ish-basketbollisti kosovar tani? A ndjehet i realizuar në fushën që ka zgjedhur për të punuar?

Për momentin punoj si ndërmjetës për zhvillim biznesi për Allstate Canada në “South Edmonton Common Agency”. Ndihem shumë i kënaqur me çfarë kam arritur që kur kemi imigruar në Kanada. Allstate përpiqet t’i mbajë si klientët ashtu edhe punonjësit në “Good Hands®” (duar të sigurta) dhe e ka për krenari që është emëruar si “Punëdhënësi më i mirë” në Kanada për tetë vjet radhazi. E kam gjithashtu kënaqësi që jam në gjendje të mund të informoj bashkatdhetarët e mi shqiptarë rreth aspekteve që u mbulon siguracioni, t’u ofroj ulje që i meritojnë dhe t’u jap udhëzime dhe këshilla sigurie; kjo i bën të ndihen të lumtur dhe të arrirë”.

Vendi ku punon Ademi, është një kompani e cila merret me siguracionet e makinave dhe shtëpive në Kanada. Ademi tregon më shumë në lidhje me punën që kryen aktualisht jashtë basketbollit.

Krahas siguracionit për shtëpinë dhe automjetin, mund t’i ndihmoj klientët me kuota për motoçikleta, varka, saja me motor, si dhe trajlera. Kemi gjithashtu dhe një numër partnerësh për të ndihmuar klientët tanë me siguracion komercial, siguracion jete, siguracion për kafshë shtëpiake, siguracion shtëpie dhe të tjera. Motoja jonë është: Sjellim fuqi, përvojë dhe kujdes”, thotë Ademi. /AsistiOnline.com

Komentet janë të mbyllura.