E TRETA RADHAZI PËR PRIZRENIN, VAZHDON KRIZA TE YLLI
Prishtinë(AsistiOnline) – Ponte Prizreni e ka arritur fitoren e tretë me radhë në elitën e basketbollit kosovar sonte.
Skuadra e drejtuar nga Arbnor Rifati, sot ka arritur të shënojë një fitore shumë të rëndësishme në udhëtim tek skuadra e Golden Eagle Yllit me rezultat, 62-71.
Ishin pikërisht mysafirët nga Prizreni ata që e nisën më mirë këtë ndeshje, duke mbyllur çerekun e parë me avantazh, 9-24, ndërsa në atë të dytë vendasit u këndellën për ta fituar dhe në pushim skuadrat shkuan me vetëm 2 pikë avantazh të Ponte Prizrenit, 35-37.
Loja e mirë e Yllit vazhdoi edhe në çerekun e tretë dhe kjo bëri që ata ta fitojnë edhe periudhën e tretë, por minimalisht, 19-18. Në periodën vendimtare, Ponte Prizreni përsëri riktheu lojën e mirë të çerekut të parë dhe e fitoi atë bindshëm(8-16), për të arritur krejt në fund, fitore të merituar me rezultat, 62-71.
Basketbollistët më të dalluar në fitoren e Ponte Prizrenit sot ishin: Arti Hajdari me 22 pikë, 7 kërcime e 6 asiste, Xavier Cannefax me 14 pikë, Josh Martin me 13 pikë e Urim Zenelaj me 12 sosh.
Tek Ylli s’mjaftuan për fitore, Griffin Ramme me 20 pikë, Valon Bunjaku me 12 pikë e Samir Zekiqi me 10 sosh.
Pas xhiros së tetë, Ponte Prizreni arrin në kuotën e 13 pikëve dhe ngritet në pozitën e tretë me 5 fitore e 3 humbje. Përderisa, Ylli tash ka 12 pikë dhe zbret në pozitën e katërt me 4 fitore e 4 humbje.
Në xhiron e nëntë, Ylli i shkon Bashkimit e Ponte Prizreni e pret Vëllaznimin.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.