PEJA RIKTHEHET TE FITORET, MPOSHT ME TELASHE PRISHTINËN
Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Pejës është rikthyer shpejtë tek fitoret në elitën kosovare, pas disfatës së papritur në vikend nga Vëllaznimi.
Ekipi pejan që sivjet po drejtohet nga kroati, Edi Xhelalia, ka arritur të mposhtë në kryeqytet, rivalin e përjetshëm, Sigal Prishtinën me rezultat final dhe tejet të ngushtë, 89-94.
Pejanët që në start treguan lojë më të mirë se vendasit dhe kështu e mbyllën çerekun e parë me rezultat, 19-29, ndërsa në atë të dytë diçka më e mië ishte Prishtina që e fitoi këtë periodë ngushtë, 22-20.
Në çerekun e tretë, Peja u rikthye te loja e mirë dhe fitoi këtë periodë, 23-27. Përderisa në periudhën e fundit të ndeshjes, sfida u bë shumë dramatike me Prishtinën që e ngushtoi në maksimum rezultatin, por që nuk arriti rikthimin e duhur(25-18) e në fund, fitorja i takoi Pejës, 89-94.
Dardan Berisha ishte i shkëlqyer në fitoren e Pejës sonte, ai realizoi plotë 38 pikë, por pati edhe 5 kërcime, 4 vjedhje topash e 3 asiste, ndërsa u dalluan edhe Marko Peroviç me 21 pikë e Drilon Hajrizi me 20 sosh.
Tek Prishtina me lojë të mirë u dalluan, Fisnik Rugova me 28 pikë e veterani Edmond Azemi me 25 sosh, por që s’mjaftuan për fitore.
Pas xhiros së tetë, Peja rikthehet në krye të tabelës me 15 pikë, 7 fitore e 1 humbje. Ndërsa, Prishtina gjendet e fundit me 10 pikë, 2 fitore e 6 humbje.
Në xhiron e vikendit, Prishtina i shkon Trepçës e Peja Rahovecit.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.