Basketboll

PONTE PRIZRENI FITON DERBIN FANTASTIK, BARAZOHET NË KRYE TË TABELËS ME RAHOVECIN

Prishtinë(AsistiOnline) – Ponte Prizreni e ka fituar derbin e xhiros së 11-të në Prince Caffe Superligën e Kosovës, sonte ndaj Rahovecit.

Ekipi prizrenas i drejtuar nga tekniku Arbnor Rifati, ka arritur të mposhtë me shumë telashe ekipin e Rahovecit dhe me rezultatin përfundimtar, 88-82.

Rrjedha e ndeshjes ishte tepër interesante, duke e vërtetuar epitetin e derbit të xhiros 11, me dy skuadrat që e mbyllën çerekun e parë baraz, 20-20, përderisa në periodën e dytë, Ponte Prizreni u tregua për disa noanca ekip më i mirë dhe shkoi në pushim me avantazh, 45-39.

Në pjesën e dytë, Rahoveci u tregua më i mirë dhe e fitoi çerekun e dytë në mënyrë identike, sikurse Prizreni të dytin(19-25) dhe skuadrat e nisën çerekun e katërt përsëri baraz, 64-64. Loja e fortë dhe lufta vazhdoi edhe në periudhën e katërt(24-18), ku fituesi u përcaktua vetëm në sekondat e fundit me Ponte Prizrenin që u tregua ekip më i koncentruar dhe në fund, fitorja me meritë ju takoi atyre.

Xavier Cannefax shkëlqeu në këtë sfidë për Ponte Prizrenin me plotë 34 pikë, i pasuar nga Urim Zenelaj me 14 pikë, Arti Hajdari me 13 pikë e Jeremiah Paige me 12 sosh.

Tek Rahoveci komplet pesëshja e parë, realizuan pikë dyshifrore, por që s’mjaftuan për fitore, Isaiah Traylor me 18 pikë, Amadi Ikpeze me 17 pikë, Alban Veseli me 14 pikë, Edmond Kryeziu me 13 pikë e Marvin Jones me 10 sosh.

Pas xhiros së 11-të, Ponte Prizreni barazohet me Rahovecin në krye të renditjes tabelare me 19 pikë, 8 fitore e 3 humbje. Përderisa edhe Rahoveci ka 19 pikë, 8 fitore e 3 humbje dhe aktualisht ‘vreshtarët’ mbajnë pozitën e parë shkaku i koshdallimit më të mirë sesa prizrenasit, por që në fund të sezonit vendosin ndeshjet e ndërsjella mes ekipeve dhe aktualisht, Ponte Prizreni në atë mënyrë udhëheq, 2-0.

Në xhiron e ardhshme, Ponte Prizreni luan në udhëtim te Prishtina e Rahoveci e pret Bashkimin.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.