Basketboll

PRISHTINA FITUESE E KUPËS SË KOSOVËS TE FEMRAT

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Prishtinës është fituese e Kupës së Kosovës për këtë edicion në konkurencën e femrave në basketbollin e Kosovës.

Vashat nga kryeqyteti kanë arritur që në finale të mposhtin ato nga Prizreni me rezultatin e ngushtë dhe final të takimit, 75-71.

Ndeshja ishte shumë interesante që nga fillimi e deri në fund me Prishtinën që e fitoi ngushtë çerekun e parë, 16-14, përderisa çereku i dytë i takoi skuadrës së Bashkimit, 15-19, ndërsa pjesa e parë e takimit u mbyll, 31-33.

Pjesa e dytë e takimit nisi shumë më mirë për Bashkimin që e fitoi çerekun e tretë, 16-24. Por që kundërpërgjigjja dhe përmbysja e prishtinaseve erdhi në momentet vendimtare, duke fituar periudhën e fundit, 28-14 e cila ishte edhe vendimtare për fatin e takimit dhe që në fund, Prishtina u kurorëzua me fitimin e trofeut të Kupës.

Sa i përket basketbollisteve më të dalluara në këtë fitore të madhe për Prishtinën, amerikanja e ekipit, Alexis Tolefree me 37 pikë, 5 kërcime, 2 asiste e 2 vjedhje topash, ishte e jashtëzakonshme e ndihmuar edhe nga Irma Konjusha me 17 pikë.

Te Bashkimi s’mjaftuan për fitore, Aisha Balarabe me 19 pikë, Saranda Daci me 14 pikë, Jeta Zeka me 12 pikë dhe Marigona Rushiti me 10 sosh.

Me këtë triumf, KBF Prishtina e fiton Kupën e Kosovës për këtë stinor në elitën e femrave.

/AsistiOnline.com/ 

Komentet janë të mbyllura.