Basketboll

EKSKLUZIVE: MARMARINOS RRËFEHET PËR ASISTIN, FLET EDHE PËR MUNGESËN E ARTI HAJDARIT

Prishtinë(AsistiOnline) – Gjatë kësaj jave në të cilën gjendemi, Përfaqësuesja e Kosovës A, është grumbulluar për ti zhvilluar dy ndeshjet e fundit në Grupin B, që vlen për parakualifikimet e Kampionatit Botëror, 2023.

Më datën 19 shkurt, Kosova do të përballet me Luksemburgun ekip të cilin në ndeshjen e parë e ka mposhtur, kurse dy ditë më vonë do të luajë me Përfaqësuesen e Sllovakisë nga e cila në ndeshjen e parë ka pësuar. Të gjitha ndeshjet e mbetura të këtij grupi parakualifikues do të zhvillohen në Prishtinë, organizim të cilin e ka fituar FBK-ja.

Me rastin e këtyre ndeshjeve parakualifikuese, AsistiOnline.com ka shfrytëzuar rastin për të zhvilluar një intervistë ekskluzive me selektorin e Kosovës, Chistos Marmarinos i cili ka folur për shumë gjëra të cilat kanë të bëjnë me skuadrën të cilën e udhëheq, por edhe të ardhmen e tij tek Kosova.
__________________________________________________________________________________________________

”Ushtrimet janë duke shkuar jashtëzakonisht mirë, jam i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve në stërvitje dhe atmosfera që mbizotëron në ekip, janë shumë të motivuar për të ushtruar dhe kjo është një gjë pozitive”.

Marmarinos tregon se çfarë atmosfere po mbretëron në grupin e lojtarëve kosovarë para këtyre dy ndeshjeve dhe a beson ai se do ta kalojnë këtë fazë aspak të lehtë.

”Nuk jemi 100% të kompletuar, jemi afër kompletimit, por kjo është diçka që e bën diferencen në këto kualifikime. Por pyetja nuk është kush nuk është prezent në Përfaqësuese, por kush është dhe kjo është ku jemi të fokusuar, do të bëjmë maksimumin tonë dhe askush nuk ka kontratë me fitoret, por ne do të bëjmë maksimumin për të fituar dhe të gjithë lojtarët janë në dijeni për këtë gjë”.

Ka kaluar një periudhë e gjatë kohore që nga zhvillimi i ndeshjeve të fundit në këtë grup, sa ka njohuri shtabi teknik i Kosovës për formën e lojtarëve të ekipeve kundërshtare. Marmarinos thotë se pak a shumë i kanë definuar pikat e tyre, për të sulmuar dhe mbrojtur. Ku e veçon yllin e Sllovakisë, Vladimir Brodziansky nga i cili e pret rrezikun kryesor, por nuk e anashkalon as ekipin e Luksemburgut dhe lojtarin e tyre, Clancy Rugg.

”Ne jemi duke e vëzhguar formën e lojtarëve që do luajnë kundër nesh, gjithashtu asistentët tanë, janë duke bërë një punë të mirë duke i përcjellur lojtarët, sidomos Sllovakinë, Sllovakia ka një lojtar Brodziansky i cili luan në Euroligë, ai është duke bërë një lojë të jashtëzakonshme në EuroCup dhe Luksemburgu poashtu është një ekip i mirë me lojtarë të rrezikshëm si Rugg, por ne do bëjmë më të mirën tonë, do bëjmë maksimumin për ti ndalur lojtarët në fjalë, pasiqë basketbolli është ndeshje 5 kundër 5, duhet të luajmë bashkë, të luftojmë së bashku, jemi në procesin e ushtrimeve për momentin dhe jemi duke krijuar një plan për ti ndalur ekipet në fjalë”.

Në publik dhe shumë më tepër, është folur shumë për mos përfshirjen e Arti Hajdarit në listën e gjerë të Kosovës, kritika të shumta se pse basketbollisti nga Peja mungoi në këtë grumbullim, AsistiOnline e shtroi këtë pyetje tek tekniku grek, për të cilën ai dha një përgjigjje shumë diplomatike.

”Lojtarët që nuk janë me ekipin, mund t’ju them se jo vetëm në ekipin tonë, por mund të them se 3-4 lojtarë që mund të ishin në ekip, tashmë nuk janë. Në këtë pikë ne po kërkojmë të inkuadrojmë disa talentë të rinjë në ekip, të zgjerojmë rrjetin tonë. Kanë mbetur edhe pak ushtrime dhe pastaj loja. Prandaj nuk është e lehtë të përdorim të gjithë lojtarët, duhet të punojnë shumë. Lojtarë e dijnë që i monitorojmë dhe ju japim detyra secilit prej tyre, pra duhet të vazhdojnë të japin më të mirën çdo herë. Sa më e lartë konkurenca, aq më mirë për ekipin. Lojtarët kanë qëllim të kryejnë punë të kuptojnë se si duhet të luajnë, është e rëndësishme që të jenë me ne në këtë pikë, ushtrimi është qëllimi i gjithçkaje. Ai që i jep ekipit atë që duhet, është ai që do të luajë. Nuk e shikojmë moshën dhe nuk diskriminojmë për asgjë, ai që është i mirë do të luajë”.

Në listën e zgjeruar të selektorit grek të Kosovës, kësaj radhe ka pasur një grumbullim miks me lojtarë me përvojë të konsiderueshme dhe emra të rinj. Si rasti i Denis Zenelajt dhe Dion Sheqiri të cilët tashmë janë pjesë e grumbullimit të Kosovës dhe mbetet të shihet nëse do ta bindin Marmarinosin që ti përfshijë në listën përfundimtare të ekipit që do të publikohet ditëve në vijim.

”Kemi plane për verën, që na lejojnë të kemi një kuptim më të mirë për lojtarët që nuk kanë qenë në ndonjë ekipë nacionale. Ende qëllimi është që çdo person duhet të dijë që rrjeti ynë është çdokund, kushdo që luan mirë dhe kushdo që i përshtatet rolit në ekip më mirë, ai do të jetë ai që do të luajë. Vetëm duhet të qëndrojmë pozitivë dhe nëse meriton, çdokush do ta ketë ftesën e Kosovës”.

Krejt në fund, pyetur se a e ka menduar të ardhmen me Kosovën, pasiqë kontrata e tij mund të jetë në ditët e fundit, mund të kalohet tutje në këtë grup, apo të jetë edhe eliminim dhe gjërat mund të mos jenë të qarta, përzgjedhësi aktual i Kosovës, përgjigjet edhe në këtë pyetje.

”E ardhmja e Kosovës është diqka që jemi gati ta diskutojmë me federatën dhe jemi të përkushtuar këtu 100%. Më pëlqen ekipi, vendi, njerëzit. Federata po bën një punë fantastike për të gjetur lojtarët e e duhur dhe kushtet e duhura. Për federatën gjithçka është në rregull, kemi ndërtuar një program, kaq nga pjesa ime”, tha Christos Marmarinos.

 

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.