GOGA BASKET GJYSMËFINALISTI I RRADHËS NË LIGËN UNIKE
Prishtinë(AsistiOnline) – Çerekfinalja e tretë e Ligës Unike, është mbyllur para pak çasteve me fitoren e Goga Basket ndaj Tiranës.
Skuadra bregdetare nga Durrësi, Goga Basket ka arritur të mposhtë ekipin tjetër nga Shqipëria, Tiranën me rezultat 76-67.
Pjesa e parë e ndeshjes i takoi tërësisht Gogës që fitoi dy periodat e para(25-12, 23-15) dhe shkoi në pushim me avantazh, 48-27. Ndërsa në pjesën e dytë, Tirana u këndell duke arritur që ta fitojë çerekun e tretë thellë 10-26. Me gjithë këtë, Goga Basketi mblodhi forcat përsëri dhe arriti ta fitojë periodën e fundit(18-14) e cila ia siguroi fitoren historike.
Pesë lojtarë arritën pikë dyshifrore në fitoren e Goga Basketit: Endrit Hysenagolli me 15 pikë, Theron Bussey me 14 pikë, Niko Thano me 11 pikë, si dhe Griffin Ramme e Nikola Djokovic me nga 10 sosh.
Te Tirana s’mjaftuan për fitore: Nazareno Coco me 15 pikë, Erin Hasani e Eldi Hysa me nga 12 pikë, si dhe Ledjo Brari me 11 pikë.
Kjo fitore ndaj Tiranës e dërgon Goga Basketin në gjysmëfinale të Ligës Unike, atje ku durrsakët e presin fituesin e duelit, Prishtina – Ylli.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.