Basketboll

GËZIM MORINA FLET PAS TRIUMFIT NË LIGËN UNIKE ME SKUADRËN NGA VENDLINDJA

Prishtinë(AsistiOnline) – Njëri ndër basketbollistët kryesorë të Yllit të Therandës në suksesin historik të tyre, ka qenë edhe alo-qendra puro vendore, Gëzim Morina.

28 vjeçari i lindur pikërisht në Therandë u rikthye sivjet në basketbollin e Kosovës, pas një kohe relativisht të gjatë, konkretisht pesë stinorëve dhe me qëllimin e vetëm, fitimin e trofeve me skuadrën nga vendlindja.

Në një deklarim për AsistiOnline.com, Morina ka folur rreth fitimit të trofeut që ishte i pari në historinë 46 vjeçare të klubit therandas.

Fitorja në Ligën Unike për klubin tonë dhe qytetin e Suhakrekës do të thotë shumë. Për ne atë ditë u shkrua dy herë historia, fitues të parë të një lige të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, gjithashtu dhe trofeu ynë i parë si klub. Jemi tejet të lumtur dhe krenarë për arritjen e këtij suksesi, mendoj se zhvilluam ndeshje të mira dhe me plotë meritë fituam në fund”.

Tutje, Morina uron qytetarëve të Therandës, sponzorit gjeneral dhe të gjithë përkrahësve këtë titull historik.

Qytetit të Suharekës, ekipit, anëtarëve të klubit dhe sponzorëve në veçanti sponzorit tonë kryesor “Golden Eagle Ylli“, ju urojë këtë titull dhe i falenderojë për përkrahjen e madhe që na kanë bërë gjatë tërë kohës”.

203 centimetërshi therandas në fund, një falenderim krejtësisht të veçantë e ka për tifozët e organizuar të ekipit ”xhebrailiat”.

Një falenderim të veçantë ju dedikojë ”xhebrailave”, të cilët edhe pse nuk mund të na përkrahin nga brenda palestrës, gjejnë lloj-lloj mënyrash, qoftë nëpërmjet rrjeteve sociale apo edhe mënyra tjera të na japin motiv dhe vullnet në çdo ndeshje. Faleminderit dhe urime”, përfundoi prononcimin Morina.

Në finalen e Ligës Unike që Ylli e fitoi ndaj Pejës(79-82), Morina ishte lojtari i vetëm te therandasit me double-double, 15 pikë, 13 kërcime, 3 asiste e 2 vjedhje topash.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.