USA MPOSHTET NË MIQËSORE NGA NIGERIA!!
Prishtinë(AsistiOnline) – Nigeria bëri një ‘arritje historike’ duke mposhtur ekipin e USA-së në turneun miqësor para Lojërave Olimpike që mbahen sivjet në Japoni.
Mund të ketë qenë një lojë parapërgatitore para Lojërave Olimpike, por të mposhtësh një skuadër me super-yje në ekip, sikurse USA, nuk është kurrë një arritje e vogël.
Rrjedha e ndeshjes ishte shumë e ngushtë me ekipin amerikan që fitoi dy periodat e para të ndeshjes(23-22, 20-19), ndërsa në pjesën e dytë Nigeria e dominoi ndeshjen duke fituar çerekun e tretë fillimisht 21-25, por edhe atë të fundit 23-24 dhe fitoi duelin 87-90.
Traineri i yjeve të USA-së, Gregg Popovich pas ndeshjes tha se e konsideron këtë humbje si një gjë të mirë, diçka për të mësuar dhe nuk dëshiron që askush ta marrë si fundin e botës.
“Në një farë mënyre, jam disi i kënaqur që ndodhi. Nuk do të thotë asgjë nëse nuk mësojmë prej saj. Mund të jetë gjëja më e rëndësishme në këtë turne për ne. Për të marrë mësime nga kjo ”, tha ai dhe poashtu shtoi. “Unë nuk mendoj se dikush duhet të veprojë, dhe as nuk do të veprojmë, pasi ky është fundi i botës“, tha Popovich.
Një prononcim i ngjashëm erdhi nga trajneri kundërshtar, Mike Brown i cili gjithashtu punon si asistent-trajner te Golden State Warriors.
“Ishte një ndeshje përgatitëse dhe në fund të ditës nuk do të thotë shumë në renditje. Por është një fitore e mirë për ne. Unë nuk mendoj se ndonjë skuadër afrikane ka qenë në gjendje të mundë USA-në”, u shpreh Brown.
Individët më të dalluar në këtë fitore të Nigerisë ishin, Gabe Vincent me 21 pikë(6/8 për tre pikë),ndërsa Caleb Agada pati 17 dhe Ike Nwamu që shtoi 13 pikë.
Te USA s’mjaftuan për fitore, Kevin Durant me 17 pikë, Jayson Tatum me 15, Damian Lillard me 14, Bam Adebayo me 11, si dhe Draymond Green e Zach LaVine me nga 10 sosh.
/AsistiOnline.com/
https://www.youtube.com/watch?v=f0Db4x6e1NM
Komentet janë të mbyllura.