KËTO JANË SUPER-PËRBALLJET ÇEREKFINALE NË LOJËRAT OLIMPIKE
Prishtinë(AsistiOnline) – Me dy ndeshjet e fundit të fazës grupore të zhvilluara dje, janë mësuar çiftet çerekfinale të Lojërave Olimpike në Japoni – Tokio 2020.
Super-përballje na presin në çerekfinalet e zhvilluara nesër (e martë), të cilat pritet të sjellin shumë rivalitet mes kundërshtarëve, por edhe shumë emocione te shikuesit.
Në duelin e parë çerekfinal takohen, Sllovenia dhe Gjermania. Sllovenët e mbyllën grupin me bilanc perfekt, 3 fitore nga 3 ndeshje, derisa Gjermania kaloi tutje me fat, pas vetëm 1 fitoreje e 2 humbjeve.
Ndeshja e dytë çerekfinale apo finale para finales, cilësohet ajo mes Spanjës dhe SHBA-ve, të dyja skuadrat e mbyllën grupin me nga 2 fitore dhe 1 humbje, porse realisht kanë ekipet më kompakte për medalje.
Italia dhe Franca do jetë çerekfinalja e rradhës, ndeshje poashtu spektakolare e cila pritet të jetë tepër interesante me Italinë që kualifikua nga grupi me 2 fitore e 1 humbje, derisa Franca vije këtu pas bilancit perfekt, 3 fitore nga po aq ndeshje.
Dhe ndeshja e fundit çerekfinale do jetë ajo mes Australisë dhe Argjentinës, me australianët që erdhën në këtë fazë me 100% fitore dhe Argjentinën e cila kompletoi çiftet falë fitores në xhiron e fundit ndaj Japonisë, sepse kishte 2 humbje në fillim.
Ndeshjet luhen të martën nga orët e para të mëngjesit.
Sllovenia – Gjermania – 03:00.
Spanjë – USA – 06:40.
Itali – Francë – 10:20.
Australi – Argjentinë – 14:00.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.