Basketboll

TREPÇA ARRIN FITOREN E DYTË SEZONALE NDAJ PRIZRENIT 16

Trepça ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Prizrenit 16 me rezultat 78:93 (27:15, 12:32, 11:24, 28:22), në kuadër të javës së nëntë të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.

Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, duke qenë në epërsi dhe e mbyllën çerekun e parë me 12 pikë epërsi 27:15, me një treshe në sekondën e fundit nga Rilind Krasniqi. Gjithsesi mitrovicasit u përgjigjën shpejt në periudhën e dytë. Prizrenasit ishin në epërsi 31:22 kur mitrovicasit hyn në një seri prej 0:13, për të kaluar në epërsi 31:35 dhe e mbyllën pjesën e parë me tetë pikë dallim, 39:47.

Mysafirët vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e tretë, duke thelluar epërsinë minutë pas minute, ku më e larta ishte 47:71, ndërsa rezultati pas 30 minutash ishte 50:71. ‘Xehetarët’ menaxhuan mirë lojën në 10 minutat e fundit, duke mos e rrezikuar fitoren dhe triumfuan me shifrat 78:93.

Te Prizreni 16 u dalluan Ivan Koljeviq me 20 pikë dhe Courtney Fells dhe Michael Green me nga 14 pikë, kurse te Trepça u dalluan Taurus Ramon Cockfield me 20 pikë dhe nëntë asistime dhe Andrew Gordon me 14 pikë e tetë kërcime dhe Drilon Hajrizi me 14 pikë e shtatë kërcime.

Prizrenasit kanë pesë fitore dhe tri humbje, ndërsa mitrovicasit shtatë fitore dhe dy humbje.

/FBK/

Komentet janë të mbyllura.