EKSKLUZIVITET: TREPÇA ‘DRIDH’ MERKATON, TRANSFERON NJË AMERIKAN ME PËRVOJË
Prishtinë(AsistiOnline) – Njëra prej skuadrave kandidate kryesore për trofe sivjet në basketbollin e Kosovës, Trepça pritet ta mbyllë merkaton dimërore me një transfer të huaj tejet cilësor.
AsistiOnline.com ka zbuluar ekskluzivisht se mitrovicasit janë afër kompletimit të marrëveshjes për t’i përforcuar rradhët e veta me basketbollistin amerikan, Corban Collins.
Lojtari në fjalë është i gjatë 190 centimetra dhe luan në pozitat 2/3. Ai njihet veçanërisht për shënimet e tij nga distanca dhe gjysmëdistanca, por e karakterizon edhe eksploziviteti në depërtime.
Karrierën profesioniste si lojtar, 21 vjeçari e ka nisur në kolegjin amerikan nga NCAA1, ”Alambama”, gjersa në edicionin e fundit, ka qenë pjesë e skuadrës elitare finlandeze, ”Seagulls” që njëherazit është edhe ekipi aktual i yllit të basketbollit finlandez, Petteri Koponen.
Përpos përvojës me finlandezët, Collins ka karrierë të bujshme si bartës i lojës edhe në Itali me Cantun, në Suedi me Lulean dhe në Gjermani me Kirchheimin.
Të kujtojmë se AsistiOnline.com ditë më parë kishte raportuar edhe për një transfer të huaj të ri te Trepça, përderisa te ‘xehtarët’ si lojtar vendor në stinorin pranveror do të paraqitet, Amin Hot i cili në vjeshtë kishte luajtur si i huaj, por tash e ka fituar nënshtetësinë e Kosovës.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.