Basketboll

BASHKIMI FANTASTIK NDAJ YLLIT, KUALIFIKOHET NË FINALEN E MADHE

Prishtinë(AsistiOnline) – Bashkimi është finalisti i dytë i Kupës së Kosovës që po zhvillohet në Pejë.

Falë lojës fantastike të gjithë lojtarëve, Bashkimi ka arritur ta mposht favoritin në letër para ndeshjes, Yllin me rezultatin përfundimtar 72-78 dhe i cili është tepër i vlefshëm.

Ndeshja ishte tepër interesante me Yllin që fitoi çerekun e parë 23-15 dhe dukej se gjithçka po shkonte mirë, por kështu nuk menduan lojtarët e Bashkimit që fituan çerekun e dytë bindshëm (14-24) dhe shkuan në pushimin mes pjesëve me 2 pikë avantazh (37-39).

Në pjesën e dytë, Ylli e fitoi çerekun e tretë (25-21), ndërsa çereku i fundit i takoi përsëri Bashkimit (10-18) madje mjaftueshëm sa për fitoren e madhe e cila i dërgoi prizrenasit në finale edhe pse pak kush e kishte pritur një gjë të tillë por ja që Bashkimi theu pritshmëritë dhe me plotë meritë kaloi tutje.

Komplet pesëshja startuese e prizrenasve sonte arriti pikë dyshifrore, John Florveus me double-double (12pk, 12krc), Julien Lewis me 16 pikë, Valon Bunjaku me 13, Alban Veseli me 12 e Corey Ross me 11 sosh.

Te Ylli ishin të pamjaftueshëm për një fitore, Erjon Kastrati me 20 pikë e Mikaile Tmusiq me 18 sosh.

Në finale e madhe, Bashkimi do të ndeshet me Trepçën të dielën nga ora 18:00.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.