ZYRTARIZOHET LAJMI: ”FINAL FOUR” I LIGËS UNIKE TË FEMRAVE NË PRISHTINË
Ky është edicioni i parë dhe historik i kësaj gare, ndërsa do të organizohet në Prishtinë.
Anëtarja e Bordit Drejtues të Ligës Unike, Elvira Dushku, ka thënë se kanë përgatitjet e duhura për organizimin sa më të mirë të kësaj ngjarje të rëndësishme. “Liga Unike ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e Final 4. Kjo është hera e parë që organizohet në konkurrencën e femrave, andaj duam që të jetë shembull edhe për herët e ardhshme dhe të jetë një organizim i jashtëzakonshëm”, është shprehur Dushku.
Vlora Braha, Kryetarja e Klubit të Prishtinës (Femrat), ka dhënë detaje për organizimin në kryeqytetin e Kosovës.
“Ne jemi munduar që të përgatitemi sa më mirë për Final 4 të Ligës Unike te femrat. Unë shpresoj se do të shijojmë dy ditë të basketbollit te femrat, duke parë ndeshje shumë të bukura në parket dhe një organizim madhështor. Kjo është hera e parë që e organizojmë dhe sigurisht se duam të fitojmë. Prishtina ka traditë në organizim dhe në fitimin e trofeve. Hyrja do të jetë falas dhe i bëjmë thirrje të gjithë adhuruesve të basketbollit që të vijnë në numër sa më të madh”, theksoi Braha.
Ndërkohë, trajneri i Prishtinës, Fidan Shatri, ka folur sa i përket pritshmërive të ekipit prishtinas për Final 4. “Ne jemi të nderuar që jemi pjesë e Ligës Unike dhe që për herë të parë do të organizojmë Final 4. Konkurrenca është shumë e fortë, ku të katër skuadrat janë shumë të forta. Ne kemi bërë përgatitjet e duhura si ekip. Besoj se do të angazhohemi maksimalisht dhe të fitojmë këtë trofe”, ka deklaruar Shatri.
Më pas është nënshkruar marrëveshja për Organizimin e Final 4, që do të mbahet më 23/24 Mars në Prishtinë dhe është prezantuar logo zyrtare e kësaj ngjarje shumë të rëndësishme.
Në gjysmëfinalen e parë do të takohen Penza-Bashkimi, kurse në atë të dytë Prishtina-Flamurtari.
Orari
Komentet janë të mbyllura.