PRISHTINA E MPOSHT LEVSKIN DHE I AFROHET ”FINAL FOUR”-IT TË LIGËS BALLKANIKE
Prishtinë(AsistiOnline) – Sigal Prishtina e ka vazhduar formën fantastike në Ligën Ballkanike duke e arritur edhe fitoren e dytë me radhë në fazën e dytë të Ligës Ballkanike.
Ekipi kosovar nga kryeqyteti ka mposhtur sonte në Prishtinë ekipin bullgar Levski 2014 me shifrat 66-63.
Prishtina e nisi keq ndeshjen duke e humbur çerekun e parë (16-24), derisa në periodën e dytë të dyja ekipet luajtën baraz (16-16) dhe skuadrat shkuan në pushim me shifrat 32-40 në favorin e mysafirëve.
Në pjesën e dytë, Prishtina u shfaq krejt ndryshe duke e fituar fillimisht çerekun e tretë 22-14, derisa periodën vendimtare e fitoi ngushtë 12-9, por që ishte e mjaftueshme për fitore.
Lejson Zeqiri ishte individi më i dalluar te Prishtina sonte në këtë fitore me 19 pikë, derisa u ndihmua edhe nga Jan Palokaj me 14 dhe Meriton Ismaili e Henry Dugat me nga 10 sosh që të dy.
Te Levski s’mjaftuan assesi për fitore, Ventislav Petkov me 13 pikë e Joshua Parker me 12 sosh.
Prishtina me këtë fitore i afrohet goxha shumë ”Final Four”-it në Ligën Ballkanike, por ende asgjë nuk është e sigurtë dhe duhet të luftohet për çdo ndeshje maksimalisht.
Duelin e radhës në këtë fazë, Prishtina e luan me 5 prill ndaj Galil Elionit në Izrael.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.