Basketboll

PEJA KËRCËNON ME TËRHEQJE NGA GARAT, PAS PUBLIKIMIT TË DËNIMEVE NGA FBK

Prishtinë(AsistiOnline) – Publikimi i dënimeve nga ana e Komesarit të Garave të FBK-së, për duelin e tretë gjysmëfinal mes Pejës dhe Trepçës ka nxitur pakënaqësi të mëdha tek klubi organizator i asaj sfide.

Ekipi i Pejës me të marrë njoftimin për vendimin e dënimeve të rënda që i janë shqiptuar, thuhet se është mbledhur për të diskutuar në lidhje me këtë çështje.

AsistiOnline.com ka mësuar se drejtuesit e klubit të Pejës po e shqyrtojnë seriozisht tërheqjen nga garat dhe sipas të gjitha gjasave klubi nuk do ta zhvillojë fare gjysmëfinalen e katërt me Trepçën edhe pse ndonjë njoftim zyrtar nuk ka ende.

Burime brenda klubit verdhezi i kanë thënë AsistitOnline, se në kampin pejan janë thellësisht të indinjuar me vendimet e marra nga Komesari i Garave për duelin e tretë gjysmëfinal, ku në veçanti shihet i papranueshëm fakti se dy ndeshjet e radhës si vendase, Peja do ti zhvillojë pa tifozë.

Mbetet të shihet gjatë orëve në vijim, se cilat do të jenë zhvillimet e radhës që do të ndodhin në lidhje me këtë çështje e cila i ka shqetësuar sidomos tifozët e klubit të Pejës, por edhe gjithë komunitetin e basketbollit në vend.

AsistiOnline.com do t’ju mbajë të informuar për rrjedhën e këtyre zhvillimeve, aspak të mira në basketbollin e Kosovës.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.