Prishtinë(AsistiOnline) – Sot zhvillohet ndeshja e dytë e serisë finale të ArtMotion Superligës së Kosovës, ndërmjet Trepçës dhe Yllit.
Dy skuadrat që e përfunduan pjesën e rregullt të stinorit në pozitat dy dhe një, sonte ndeshen në ”Minatori” për të kërkuar fitoren e madhe e cila do t’i afronte tek titulli, sidomos Yllin që ka avantazh 0-1.
Përballjen e parë e fituan therandasit me rezultat 63:62, me tre pikëshin në fund nga Henrik Sirko, ndërsa skuadra që shënon tri fitore shpallet kampion i Kosovës.
Në garat e rregullta, këto dy ekipe u përballën katër herë, duke shënuar nga dy fitore ndaj njëra-tjetrës, që tregon për rivalitetin e madh, që kanë pasur në këtë edicion.
Ylli synon mbrojtjen e titullit, që do të ishte titulli i dytë i Kosovës në histori të klubit, kurse mitrovicasit shpresojnë të fitojnë titullin pas një dekade.
Golden Eagle në gjysmëfinale të “Play-off”-it kishte mundur Sigal Prishtinën 3:0, kurse ‘Xehetarët’ eliminuan Pejën me seri prej 3:1.
Sfida e sotme fillon nga ora 20:30 dhe transmetohet direkt në ArtSport1 dhe Klan Kosova.
Si zakonisht të rejat para dhe pas ndeshjes, pesëshet startuese, rezultatin, por edhe raportin final të sfidës do të mund ti gjeni në portalin e vetëm në shqiptari, dedikuar ekskluzivisht basketbollit, AsistiOnline.com
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.