Basketboll

VIDEO RAPORTI SPECIAL: FINALE NË ATMOSFERË FENOMENALE NË ”MINATORI”

Prishtinë(AsistiOnline) – Në një atmosferë fantastike në Minatori, Golden Eagle Ylli regjistroi edhe fitoren e dytë kundër Trepçës me rezultat 60:46 për të avancuar në seri finale me 2:0.

Gjëja më e bukur e kësaj ndeshjeje ishin duartrokitjet e publikut mitrovicas, qoftë në fillim të ndeshjes kur i mirëpriten rivalët nga Theranda që i kishin mposhtur në ndeshjen e parë dramatike me treshen E Shirkos dhe më pas, në fund të ndeshjes kur përkundër faktit se Golden Eagle Ylli kishte mposhtur ekipin e tyre të zemrës, publiku mitrovicas dhe komplet palestra Minatori i përcolli me duartrokitje të ngrohta.

TREPÇA – GOLDEN EAGLE YLLI      46:60 (0:2)

Nën-udhëheqjen e trajnerit Adis Beqiragiq, Ylli e filloi ndeshjen në mënyrë të stuhishme me seri prej 11:1, në 6 minutat e para.

Pikën e vetme për nikoqirët në start e shënoi qendra Gordon nga gjuajtja e lirë, për epërsinë fillestare prej 1:0, pas të cilës Erjoni e nisi serinë e therandasve me këtë depërtim (1:2) kurse plejmejkeri Graf fillimisht qëlloi treshe (1:7) para se ta mbyllte këtë nismë të suksesshme gjuajtjen për dy pikë pas të cilës Ylli krijoj epërsi dyshifrore prej 10 pikëve (1:11). Therandasit bllokuan çdo korridor të depërtimit të Trepçës por edhe hapësirat për dy dhe tri pikë.

Duhet theksuar se në çerekun e parë nga 13 tentime për dyshe, Trepça shënoi vetëm 1 herë dhe atë përmes qendrës Eduards (3:11), që në fakt ishte shënimi i parë i nikoqirëve nga loja në 5minuta e 45 sekondat e para të lojës. 

Gjithashtu edhe për treshe, Trepça huqi 5 tentimet e para deri sa Collins realizoi nga tentimi i gjashtë (6:19) për ta zbutur disavantazhin e lartë prej 16 pikëve , mirëpo këto dolën të jenë pikët e fundit të mitrovicasve në kte çerek , të cilin e mbylli Ardit Pepaj me ngulitjen në sekondat e fundit dhe riktheu epërsin maksimale të Yllit në dhjetëminutishin e parë, 6 me 22

Me lojë agresive në mbrojtje dhe sulme efikase therandasit vazhduan edhe në çerekun e dytë kur pas shënimeve të Grafit (6:24) dhe qendrës Lopiqiq (6:26) ngritën avantazhin në plus 20.

Edhe në çerekun e dytë, lojtarët e trajnerit Minqev nuk arritën dot ta gjejnë ritmin e lojës dhe efikasitetin sepse nga 10 tentime për dy pikë shënuan vetëm dy herë kurse nga 6 gjuajtje për treshe qëlluan vetëm dy sosh. Duhet theksuar se pjesën e parë , dy armët kryesore të Trepçës : Purvis dhe Hajrizi e mbyllën pa asnjë pikë të shënuar.

Ish-NBA lojtari tentoi dhe huqi të tri tentimet për tri pikë dhe të gjitha 7 gjuajtjet për dyshe, duke i mbyll 20 minutat e para me 10 tentime nga loja pa asnjë shënim kurse Driloni ishte 0/2 për treshe dhe 0/5 për dyshe.

Qendra, Andrew Gordon u mundua të mbajë në lojë Trepçën dhe pas kësaj ngulitje në asistim të Drilonit, zbuti disavantazhin në 11 pikë (18:29) kur kishin mbetur më pak se 3 minuta lojë në pjesën e parë mirëpo këto dolën të jenë pikët e fundit të vendasve sepse Ylli ashtu si e nisi pjesën e parë ashtu edhe e mbylli, me një seri të stuhishme prej 10-0.

Ishte Gëzim Morina ai që e filloi këtë seri (18:31) për ta vazhduar Tmushiqi me dy treshe rresht (18:34 dhe 18:37) kurse Henrik Shirko me dypikëshin e tij krijoj epërsinë më të lartë të ndeshjes prej 21 pikëve, 18:39.

Kjo epërsi e lartë e mysafirëve në vazhdim doli të jetë e paarritshme për Trepçën e cila pati njërën nga paraqitjet më të dobëta këtë stinor.

Pavarësisht se në pjesën e dytë mitrovicasit u munduan maksimalisht dhe pas shënimit të Edwardsit, kur kishin mbetur edhe 5 minuta lojë në çerekun e tretë zbutën disavantahzin në 13 pikë (29:42) megjithatë, në skenë dolën me dy treshe të njëpasnjëshme Shirko (29:45) dhe pastaj Tmushiqi (31:50) duke e mbajt distancën prej 19 pikëve. Rezultatin final pas 30 minutave e vendosi qendra Gordon me dy gjuajtjet e lira për, 33:50

Çereku vendimtar nuk solli ndryshim rezultati sepse efikasiteti i dobët i vendasve vazhdoi edhe në këtë pjesë të lojës, madje edhe nga gjuajtjet e lira prej nga shënuan vetëm një nga 6 tentimet. Trajneri Minqev në kte çerek provoi që përmes tresheve t’i afrohet Yllit por mos efikasiteti i madh kur nga 12 gjuajte për tri pikë Trepça qëlloi vetëm dy sosh… njëra prej tyre  kjo e Drilon Hajrizit (46:60) … ndikoi që mitrovicasit vetëm ta zbusin humbjen.

Rezultati final ishte Trepça 46 – Golden Eagle Ylli 60 dhe kështu therandasit kaluan në avantazh prej 2:0 në seri dhe janë vetëm një hap mbrojtjes së titullit historik të fituar vitin e kaluar kurse kreatori i këtij suksesi, trajneri  Adis Beqiragiqi edhe pas ndeshjes u shpreh i lumtur me paraqitjen e ekipit të tij thirri për kujdes dhe deklaroi se asgjë nuk ka mbaruar.

Nga ana tjetër, trajneri i Trepçës Lubomir Minqev nuk kishte shpjegim dhe e cilësoi paraqitjen si të tmerrshme.

Më efikasi te Therandasit ishte Dajuan Graf me 11 pikë, 8 kërcime e 7 asistime ndërsa pikë dyshifrore realizuan edhe Shirko 13 dhe Tmushiqi i cili shtoi 12 sosh, të gjitha nga vija për tre. Patjetër duhet theksuar edhe lojën e qendrës Calvin Harris i cili edhe pse realizoi vetëm 4 pikë, kapi 8 topa nën kosha dhe ishte i pa kalueshëm në mbrojtje duke shpërnda 5 bllokada.

Në anën tjetër tek Trepça vetëm qendrat  Gordon dhe Eduards arritën ta mbajnë sado pak ekipin e tyre në lojë. Gordonit i mungoi një kërcim për double-double pasi realizoi 15 pikë e 9 kërcime dhe shpërndau 3 bllokada kurse Eduards luajti me 10 pikë e 6 kërcime. Luftë dhe përpjekje të madhe bëri edhe Drilon Hajrizi me 8 pikë e 8 kërcime ndërsa Purvis, Collins dhe Hot ishin larg performancave të zakonshme: Purvis dhe Hot realizuan vetëm nga 4 pikë kurse Collins qëlloi vetëm një treshe, që të tre duke kaluar më shumë se 30 minuta në parket.

Ndeshja e tretë që e ka rëndësinë të jesh apo të mos jesh zhvillohet të dielën me 29 Maj, në Therandë.

/AsistiOnline.com/

Video-përmbledhja e ndeshjes:

Komentet janë të mbyllura.