Prishtinë(AsistiOnline) – Bashkimi i Prizrenit është klubi i parë i themeluar në basketbollin e Kosovës.
Portokallinjët u themeluan në vitin e largët 1945 dhe që nga atëherë krijuan një histori 77 vjeçare, duke u bërë prej klubeve sportive më me traditë në vend.
Prizrenasit, pak ditë më parë mbajtën edhe Kuvendin e Ri Zgjedhor të klubit, ku u zgjodh kryetar, Tyrhan Kosova, ish-basketbollist i ekipit në vitet e vështira të paraluftës dhe i cili e pason në post, Rini Shpendin që e ushtroi këtë detyrë për një mandat.
Sipas informacioneve që ka AsistiOnline.com, klubi prizrenas me ndryshimet e reja në strukturën organizative, pritet që të riorganizohet goxha fuqishëm dhe për dallim nga vitet e tjera, sivjet do ti ketë synim të vetëm, sukseset.
Burimet të afërta me klubin, kanë konfirmuar se drejtuesit e Bashkimit të prirë nga kryetari Tyrhan Kosova, menjëherë janë mobilizuar dhe tashmë kanë mbajtur takimet e para, duke i definuar synimet e qarta të klubit që janë, fillimisht krijimi i stabilitetit financiar, përzgjedhja e një trajneri punëtor dhe me përvojë të madhe, gjersa njëkohësisht janë edhe duke e hulumtuar tregun e lojtarëve, për të kompletuar ekipin në kohën e duhur.
Bashkimi stinorin 2021/22 sivjet e mbylli në pozitën e 6-të, duke e siguruar ”play off”-in e elitës sonë, vetëm në dy xhirot e fundit, por që u eliminua më pas 2-0 në seri çerekfinale të ndeshjeve nga Peja, derisa stinorin e rregullt e kishte mbyllur me 12 fitore e 16 humbje.
Si sukset i klubit të Bashkimit në këtë edicion mund të llogaritet, arritja në finale të Kupës së Kosovës, por që aty u mposht nga Trepça.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.