Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Golden Eagle Yllit është duke tentuar të konsolidohet sa më parë të jetë e mundur, pas dy largimeve të rëndësishme nga ekipi, por edhe konfirmimit të pjesëmarrjes në Champions League.
Kampionët aktualë të Kosovës janë në bisedime me lojtarë të ndryshëm, sikurse vendorë ashtu edhe të huaj e siç ka mësuar AsistiOnline.com më së afërti marrëveshjes janë me reprezentuesin e natyralizuar të Kosovës, Shawn Jones – 203 centimetra i gjatë.
Lojtari në fjalë është i njohur për opinionin e basketbollit kosovar, pasiqë në vitin 2016 është pajisur me pasaportën e Kosovës dhe ka luajtur disa ndeshje për fanelën e shtetit tonë, duke treguar mjaftë cilësi.
30 vjeçari ka karrierë të pasur si lojtar me ekipe të ndryshme, fillimisht në NBA G-League, pastaj në MoraBanc Andorra (Spanjë), Hapoel Jerusalem e Hapoel Holon (Izrael), Dinamo Sassari e Scandone (Itali), Anwil Wloclawek (Poloni) dhe së fundmi u paraqit te Spliti në Kroaci.
Deri tani, Ylli ka njoftuar zyrtarisht vetëm për vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin Adis Beqiragiq dhe ndihmësin e tij, Petrit Zeqiri, por AsistiOnline.com ka mësuar se therandasit e kanë kompletuar marrëveshjen edhe me Valon Bunjakun, duke e rikthyer atë në skuadër e njoftimi zyrtar pritet të vije shpejtë.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.