PRISHTINA DHE YLLI PËRGËNJESHTROJNË AKUZAT DHE PARALAJMËROJNË PADI LIGJORE
Prishtinë(AsistiOnline) – Nuk janë të rralla, rastet kur lojtarët e skuadrave kosovare janë ankuar se nuk janë paguar me rregull dhe s’janë paguar fare, për angazhimin e tyre.
Madje rastet e tyre kanë përfunduar në BAT dhe klubet kanë paguar dënime dhe kamata të majme.
Dy klubet që së fundmi janë akuzuar për një gjë të tillë, janë Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli, por që këto të fundit, këtë gjë e kanë mohuar kategorikisht. Për më tepër , kanë shpalosur detaje të panjohura në opinion, lidhur me pa korrektësinë e lojtarëve, sjelljet e këqija dhe jo profesionale, si dhe simulime të lëndimeve dhe mashtrime.
Gjatë ditës së djeshme në rrjetet sociale, qarkulluan disa fotografi, ku ish-lojtari i KB Prishtinës, Kenny Brown aludon se nuk është paguar nga skuadra bardhekaltër për periudhën sa ka kontribuar në klub.
Lojtari në fjalë adresoi akuza të rënda në drejtim të klubit kryeqytetas, me pretekstin se i kanë mbetur borxh dhe nuk i kanë paguar paratë e kontratës.
Për këtë çështje, AsistiOnline.com u interesua konkretisht dhe kontaktoi direkt me kryetarin e klubin të Prishtinës, Burim Maraj i cili i mohoi kategorikisht këto akuza, madje theksoi se klubi do të reagojë edhe zyrtarisht për këto shpifje.
”Fillimisht faleminderit për pyetje, e që shpresoj se kjo do të ndihmojë që e vërteta të dalë në pah. Klubi Sigal Prishtina është klub me një histori dhe traditë të gjatë. Kjo që pretendohet nga një ish-lojtar i cili e dëshmoi të jetë një lojtar jo-profesional dhe me një etikë e kulturë të ulët njerëzore, është totalisht e pavërtetë. Kjo do të dëshmohet edhe publikisht – vërejtjet, komunikimet dhe marrëveshjet do ti zbulojme së shpejti për hir të së vërtetës. Ndërsa, sa i përket sjelljes dhe trajtimit jo-njerëzor të ambientit ku lojtari në fjalë ka qëndruar, nuk do ta ndajmë dhe nuk do ta bëjmë publike për shkak të përmbajtjes së materialit. Por e tërë kjo tregon për nivelin e ulët të një lojtari i cili do te duhej të ishte shembull i së mirës dhe integritetit. Andaj, ju konfirmoj që në bazë të marrëveshjes mes të dy palëve (dëshmia), klubi nuk ka asnjë obligim ndaj lojtarit. Përkundër faktit që lojtari na ka shkaktuar shumë dëme sportive dhe materiale, klubi është kujdesur që lojtarit ti sigurohet kthimi në shtëpi dhe obligimi financiar ti kryhet në tërësi”, u shpreh kreu i klubit prishtinas. Deklarata e dëftesës së pagesës me para në dorë e lëshuar nga KB Prishtina për lojtarin e apostrofuar. AsistiOnline.com për hir të korrektësisë, ka provuar të kontaktojë edhe me lojtarin e apostrofuar në këtë mes, Kenny Brown, por që i njejti nuk ka kthyer përgjigjje në pyetjet tona të drejtuara lidhur me këtë çështje.
__________________________
Ditë më parë, nëpërmjet llogarive të tyre në rrjetet sociale edhe dy lojtarë të huaj të Golden Eagle Yllit, Cameron Williams dhe Malcolm Grant, ishin ankuar se nuk janë paguar nga skuadra suharekase, por në lidhje me këtë çështe drejtori i Yllit, Egzon Fetiu për AsistiOnline.com e ka mohuar një gjë të tillë.
”Cameron Williams prej muajt shkurt, nuk është pjesë e klubit për shkak të lëndimit dhe ia kemi mbuluar disa obligime që i ka lënë këtu në Suharekë. Ndërsa, Malcolm Grant është larguar prej ekipit pa asnjë lajmërim. Këta të dytë kan menagjerë të tyre dhe e dinë shumë mirë situatën, kështu që unë deklaroj, se asnjë obligim klubi nuk e ka ndaj tyre”, potencoi Fetiu.
Skuadra e Golden Eagle Yllit sivjet u shpall kampione e Kosovës për vitin e dytë me rradhë, derisa njihet për stabilitet financiar prej vitesh dhe nuk është se ka pasur probleme të tilla.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.